Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka publikuar një video nga Qendra Spitalore Universitare Nënë Tereza në Tiranë, përmes së cilës njofton hapjen e sektorit të tretë të spitalit Covid 3.
“LIVE nga QSUT, ku hapet edhe sektori i tretë i spitalit COVID3, e më pas, siç e kemi thënë dhe bërë gati qysh në verë, do të hapet spitali COVID4 sapo të jenë shfrytëzuar plotësisht kapacitetet të 3 spitaleve Covid.
Zv.Drejtorja e QSUT, prof.Ariana Strakosha, ju tregon planin dhe mjetet për vazhdimin e kësaj lufte të egër, të cilën do ta fitojmë me përkushtim, durim, besim e falë mjekëve e infermierëve tanë shembullorë në vijën e zjarrit”- shkruan Manastirliu.
Në video shfaqet zv/drejtorja e spitalit, dr. Arjana Strakosha e cila thotë se shtretërit janë gati për të pritur pacientët e infektuar, ndërsa hedh poshtë lajmet se spitalet Covid janë të tejmbushur.
“Jemi në spitalin Covid3, në pavionin e tretë apo në sektorin e tretë më mirë, sepse ky spital është i konceptuar në tre pavione të mëdha.
Sikurse e shihni kemi kapacitete shtretërish të lirë për t’u shërbyer qytetarëve. Në gjendje të gatshme për të mirëpritur të gjitha llojet e stadeve të sëmundjeve me investimet përkatëse.
Alarmi që janë pakësuar kapacitetet spitalore, për momentin apo deri në skenarët aktualë nuk është i vërtetë. Sikurse e shikoni edhe vetë janë gati shtretërit në pritje të të sëmurëve.
Ndërkohë sikurse të gjithë e dimë, në skenarët e parashikuar është në gjendje për të pritur të sëmurët dhe Covid4 nga spitali tjetër, natyrisht pasi të mbushen gjithë kapacitetet e Covid1, Covid2 dhe Covid3.”– deklaron doktoreshë Strakosha.
Mes të tjerash, ajo përsërit rregullat për t’u mbrojtur nga Covidi dhe u bën thirrje qytetarëve që t’i zbatojnë ato.
“Nga ana tjetër për të eliminuar pikërisht këtë dyndje të sëmurëve drejt spitaleve u bëj edhe njëherë thirrje qytetarëve të zbatojnë me rigorozitet rregullat. Nuk është sëmundje e lehtë. Nuk është shaka. Duhet ruajtur distancimi, duhet të evitohen festat, duhet të evitohen baret, duhet të evitohen ditëlindjet, pra shumë gjëra që tashmë i dimë. Në këtë mënyrë, ne të gjithë luftojmë sëmundjen, edhe e përballojmë Akoma më lehtë, pikërisht edhe fluksin e pacientëve të cilët kanë nevojë për hospitalizim”, shtoi mjekja.