Përsëri sulme me raketa në Rripin e Gazës.
Ushtria izraelite ka njotuar këtë të dielë se militantët palestinezë kanë nisur një raketë në Izrael, duke i detyruar të përgjigjen me sulme ajrore në Rripin e Gazës.
“Reuters” shkruan se nga ky shkëmbim sulmesh nuk pati viktima të raportuara në të dy anët e kufirit. Policia izraelite tha se raketa e qëlluar të shtunën në mbrëmje nga Gaza dëmtoi një fabrikë në qytetin jugor të Ashkelon. Ushtria izraelite tha gjithashtu se avioni i saj goditi si kundërpërgjigje disa vende ushtarake që i përkasin Hamasit, grupit të armatosur islamik që kontrollon Gazën.
Lidhur me raketën që sulmoi fabrikën në Izrael, nuk kishte asnjë pranim të menjëhershëm të përgjegjësisë nga asnjë prej grupeve ushtarake të Gazës.
Izraeli dhe Hamasi zhvilluan për herë të fundit një luftë në vitin 2014 dhe kanë shkëmbyer zjarr disa herë që nga ajo kohë, megjithëse kufiri ka qenë kryesisht i qetë në muajt e fundit.
“Organizata e terrorit e Hamasit është përgjegjës për të gjitha ngjarjet që ndodhin në Rripin e Gazës dhe që burojnë prej saj, dhe do të bartë pasojat për aktivitetin terrorist kundër civilëve izraelitë.”– tha ushtria në një deklaratë.
Ndërsa zëdhënësi i Hamasit, Fawzi Barhoum fajësoi Izraelin për përshkallëzimin e ri të konfliktit mes tyre.
“Pushtimi izraelit është përgjegjësi kryesor për gjithçka që ndodh në Gaza ndërsa vazhdon ta bllokojë atë dhe të kryejë sulme. Rezistenca po vepron vetëm në vetëmbrojtje.”– tha Barhoum për Reuters.