Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj ka shmangur gazetarin e televizionit “Ora News” Ronaldo Sharka, i cili kërkonte t’i merrte një prononcim lidhur me betonizimin e kryeqytetit.
Madje sipas këtij televizioni, në disa raste truprojat dhe policët e Veliajt kanë përdorur edhe forcën për të larguar gazetarin.
Gazetari ka qëndruar vazhdimisht poshtë bashkisë për të pritur Veliajn që t’i marrë prononcimin e refuzuar, mirëpo kryebashkiaku për ta shmangur atë është future fshehurazi në bashki.
Siç tregon kamera e “Ora News” makina e Veliajt vjen bosh në hyrje të Bashkisë dhe kur gazetari i drejtohet makinës, Veliaj futet në institucion nga një hyrje tjetër.
Po ashtu në një tjetër moment, Veliaj kur e sheh gazetarin duke e pritur në hyrje të Bashkisë, makina e tij nxiton për tek hyrja tjetër.
Të gjithë e mbajnë mend deklaratën e Veliajt në vitin 2015, kur shprehej se dëshironte të mbahej mend si kryebashkiaku që ndërtoi më shumë parqe se palate.
Por kjo deklaratë i kthehet kundër pasi faktet kanë treguar të kundërtën dhe gazetarët vazhdimisht kërkojnë t’i bëjnë pyetje për këtë gjë. E mesa duket Veliaj e ka të vështirë të përgjigjet për këtë./Hashtag.al