Vendosni fjalën kyçe....

Basha viziton biznesin në Tiranë: Nuk ka problem pa zgjidhje, ka vetëm qeveri që nuk japin zgjidhje


Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, ka vizituar këtë paradite një biznes të produkteve bazë të konsumit në Tiranë.

Gjatë bashkëbisedimit me menaxheren e biznesit, Basha ngriti shqetësimin që bizneset e vogla dhe ato të mesme janë rrënuar nga kriza pa u ndihmuar nga qeveria.

Ajo nga ana tjetër, iu ankua kreut të opozitës për rënien e xhiros dhe shkurtimit të vendeve të punës si pasojë e pandemisë.

“Xhiroja me të thënë të drejtën ka rënë shumë, për shkak të pandemisë, njerëzit janë tërhequr shumë edhe në zgjedhjen e produkteve. Kemi klientë që vinë, shohin edhe ikin. Pandemia i ka trembur shumë dhe i ka zënë shumë paniku. Xhiroja afërsisht bëhej 500 në turn. Ne 500 e bëjmë gjithsej xhiro totale. Ka rënë domethënë shumë. Sepse ne kishim produkte, siç e shikoni, dhe të gjitha produktet që shesim më shumë janë vetëm produktet e bulmetit, buka edhe lëngjet”, – shprehet menaxherja, Rolanda Cani.

Ajo thotë se pandemia ka sjellë jo vetëm pasoja për vetë biznesin dhe rënien e konsumit, por edhe për rritjen e papunësisë.

“Gjithashtu dhe stafi, sepse këtu ka qenë një pikë që ka pasur xhiro shumë të madhe le të themi, tani kemi reduktuar edhe stafin. Stafi ka qenë nga 5 punonjës dhe menaxherja 6. Unë jam menaxherja e dyqanit, dhe tani unë kam 3 veta staf, dhe vetë mundohem që të futem edhe tek shitjet, edhe tek pjesa e menaxhimit. Nuk është se bëj vetëm menaxheren edhe hyj tek të gjitha sektorët.”– shprehet Cani.

Kryedemokrati e vë theksin tek mungesa e ndihmës nga ana e qeverisë për biznesin. Ai përsëriti propozimet e tij për të ndihmuar vendin në këtë kohë të vështirë, por që qeveria sipas tij nuk e ka marrë parasysh.

“Problemi kryesor i kësaj krize që ka 7 vite, por që pandemia e ka rënduar dhe më shumë, është pamundësia e njerëzve për të siguruar ushqimin bazë. Dhe kjo reflektohet pastaj tek i gjithë zinxhiri, edhe zinxhiri prodhues e në veçanti tek prodhimet e vendit. Ju e dini, ne kemi dalë prej javesh me një paketë ndihme për njerëzit që nuk kanë të ardhura. Kemi kërkuar që të gjithë ata që kanë humbur vendin e punës për shkak të pandemisë të kenë një ndihmë direkte nga shteti, kemi kërkuar që çdo familje shqiptare të ketë një ndihmë financiare. Kjo bëhet në radhë të parë për të ndihmuar njerëzit, për të ndihmuar familjet shqiptare, por po u ndihmuan ata do ndihmoheni dhe ju; se ato para çfarë do bëjnë? Do rrisin xhiron. Ata nuk kanë për t’i kursyer këto lekë, do t’i hedhin për të blerë konsumin e përditshëm.” – u shpreh Basha.

Duke marrë shembull biznesin në fjalë, Basha shpalosi idetë e tij dhe të PD për të ndihmuar biznesin në krizë si pasojë e rënies së konsumit. Në fund ai bëri dhe një thirrje për të konsumuar sa më shumë produkte shqiptare.

 “Nuk ka problem pa zgjidhje, ka vetëm qeveri që nuk japin zgjidhje”, theksoi ai.

“Zgjidhja është që ne të ndihmojmë konsumin dhe të ndihmojmë konsumin do të thotë t’i çojmë lekët sot aty ku kanë nevojë më shumë njerëzit, të ndihmojmë ata që kanë humbur vendet e punës, të ndihmojmë ata që janë në vështirësi ekonomike, të ndihmojmë sipërmarrjen e vogël, t’ju ndihmojmë ju që në vend që t’i hiqni njerëz nga puna, t’i mbani, dhe për këtë kemi propozuar një paketë minimale që ata që nuk i mbani dot vetë, të keni një ndihmë nga shteti, po mbi të gjitha të ndihmojmë njerëzit të bëjnë konsumin bazë të ditës dhe paratë e taksave të shqiptarëve sot nuk mund të shpenzohen në asnjë vend tjetër më mirë se sa duke ndihmuar shqiptarët, sepse kriza ekonomike ka shtatë vite që rëndohet por në veçanti, tani me pandeminë që është akute, të sigurojmë ushqimin bazë për njerëzit dhe nuk ka vend më të mirë për ta siguruar ushqimin bazë se sa duke blerë produktet e Shqipërisë, produktet e fermerëve shqiptarë.

Dhe përfitoj dhe njëherë të bej një thirrje, meqë jemi këtu në një pikë shitje ku të gjitha prodhimet janë shqiptare; t’i bëj një thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë të konsumojmë e të blejmë sa më shumë produkte shqiptare.”– deklaroi Basha.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *