Vendosni fjalën kyçe....

PD denoncon koncesionin Milot-Fier: Qytetarët do paguajnë 17.4 euro për një udhëtim, masakër financiare


Partia Demokratike ka denoncuar një tjetër koncesion.

Në një deklaratë për mediat, ish-deputeti Alibeaj tha se kjo rrugë me çmimin stratosferik 1.2 miliard euro ka oferutes të vetëm kompaninë greke ‘Terna’.

Ai theksoi se çdo gjë në këtë koncesion ka shkuar ashtu siç e ka parashikuar PD-ja që në muajin shkurt.

“Në zyrat e qeverisë shqiptare këto ditë po përgatitet farsa e një tjetër koncesioni, i destinuar të dështojë. Rruga Milot-Fier, me çmimin stratosferik 1.2 miliard euro, ka vetëm një ofertues dhe kjo është kompania greke Terna. Ka shkuar pikë për pikë siç e kemi parashikuar ne, që në shkurt, akoma pa u hapur tenderi farsë. Belinda Balluku nuk iu përgjigj atëherë pyetjes se çfarë e lidh me kompaninë greke. As sot nuk është në gjendje të shpjegojë pse vetëm kompania greke mori pjesë në tenderin që ajo dhe Edi Rama e shpallën me bujë të madhe disa javë më parë.” – tha Alibeaj.

Më tej, demokrati theksoi se koncesioni është një masakër financiare për qytetarët nga qeveria në ikje duke qenë se çdo mjet që do kalojë aty do paguajë 17.4 euro për një udhëtim vajtje-ardhje.

“Me kushtet e vendosura nga qeveria në ikje, koncesioni është një masakër financiare për qytetarët. Qeveria në ikje kërkon që çdo automjet që kalon në këtë rrugë, të paguajë të paktën 17.4 euro për një udhëtim vajtje-ardhje. Kjo është vjedhja më e madhe e qeverisë në ikje, e planifikuar në kulmin e pandemisë.” – shtoi ai.

Në fund Alibeaj tha se ndërsa shqiptarët përballen me pasojat e pandemisë, qeveria planifikon të vjedhë edhe më shumë.

Ai paralajmëroi se ky projekt korruptiv do dështojë ndërsa shtoi se PD-ja nuk do njohë asnjë vendim të marrë nga qeveria 12 muaj para zgjedhjeve.

“Kur shqiptarët ishin të tmerruar nga karantina, nga virusi i panjohur, kur mbi 100 mijë prej tyre humbën vendet e punës dhe bizneset falimentuan apo u dobësuan, Edi Rama dhe Belinda Balluku planifikuan t’i vjedhin edhe më shumë. Kostot e rrugës janë shumëfishuar për të rritur çmimin e kalimit të udhëtarëve.

17.4 euro për një udhëtim në një rrugë ku më shumë se gjysma është e ndërtuar me para publike, do të thotë vetëm nxitim për mbyllje pazari. Ky projekt korruptiv, që rëndon akoma më shumë xhepat e shqiptarëve nuk ka për të sukses! Është një aferë që ka për të dështuar. Partia Demokratike i ka bërë thirrje  çdo kompanie të tërhiqet nga ky projekt që vjedh qytetarët në ortakëri me Edi Ramën. Ne e kemi bërë të qartë për çdokënd: Nuk do të njohim asnjë vendim të marrë nga kjo qeveri 12 muaj para zgjedhjeve, pa iu nënshtruar më parë ligjshmërisë së vendimit. Në rastin e Milot-Fier gjithçka vjen era korrupsion dhe vjedhje!” – mbylli denoncimin Alibeaj.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *