Duke nisur nga sot rihapet gara për rindërtimin dhe operimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës.
“Rihapet gara ndërkombëtare për aeroportin e Vlorës, pas një pezullimi 9-mujor për shkak të pandemisë, e cila i ka dhënë një goditje shumë të rëndë sektorin aeroportual në botë dhe ka paralizuar botërisht investimet në këtë sektor.
Shpresojmë që pjesa e mbetur e afateve të garës do të mundësojë afrimin e investitorëve potencialë dhe krijojë hapësirën për përzgjedhjen e një konkurenti fitues brenda vitit.”– thuhet në njoftimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.
Vetë ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku ka publikuar një video, në të cilën shprehet se gara do të jetë e hapur deri më 23 dhjetor.
Më pas sipas saj një grup ekspertësh do vlerësojë ofertat dhe do të bëjë të mundur shpalljen e fituesit.
“Bllokuam këtë proces për ta rihapur në një moment të dytë. Një shkallë më lart në avizcionin civil. Tani ka ardhur koha.
Nga 23 nëntori të hapim garën ndërkombëtare për ndërtimin dhe operimin e aeroportit ndërkombëtar. Deri në 23 dhjetor të këtij viti do të qëndrojë hapur. Më pas ne do vlerësojmë ofertat që do kenë arritur deri në 23 dhjetor.
Në mes të janarit do kemi mundësi të nxjerrim një fitues. Ky lajm është i mirë për të gjithë shqiptarët kudo ku ndodhen, uroj që ju dhe familjet tuaja të kenë shëndet të plotë dhe gjithçka të jetë mirë”, tha Balluku.