Pesë personave në Tepelenë, Tiranë e Gjirokastër u ka shkuar formulari i vetëdeklarimit të burimit të pasurisë.
Personat në fjalë janë dënuar më parë për vepra të ndryshme penale si vrasje, vjedhje me dhunë e pengmarrje.
Bëhet fjalë për shtetasit Bledar Hasani, Selam Qëndro, Memo Lila, Sadik Hazizi e Gentian Çani.
Njoftimi
Vijon pa ndërprerë Operacioni Forca e Ligjit, në zbatim të detyrave të përcaktuara në Aktin Normativ të datës 31 janar 2020.
Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve:
B.H., banues në Tiranë, i dënuar për veprat penale “Grupi i strukturuar kriminal”, “Vjedhja me dhunë” kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal dhe “Vjedhja”;
S.Q, banues në Tepelenë, i dënuar për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”;
M.L., banues në Tepelenë, i dënuar për veprën penale “Vrasja me paramendim”;
S.H., banues në Tepelenë, i dënuar për veprën penale “Vrasja me paramendim”;
G.Ç., banues në Gjirokastër, i dënuar për veprën penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”;
Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.
OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special.
OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.