Komiteti Teknik i Ekspertëve për luftën kundër Covidit ka dalë sot në një deklaratë për mediat për të folur mbi ecurinë e pandemisë.
U publikuan statistikat mbi raportin e infektimeve në dy javët e fundit, çfarë do të ndodhë me zhvillimin e mësimit në shkolla dhe universitete, numri që duhet të kontaktojmë në rast se nuk kontaktojmë dot me mjekun e familjes, u fol për kapacitetet në spitale e të tjera.
Të gjitha çështjet mund t’i lexoni më poshtë.
Numri i thirrjeve i njëjtë, rritet numri i vizitave në banesa
Shefi i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj zbuloi se numri i thirrjeve vijon të mbetet i njëjtë me një javë më parë, por sipas tij është rritur numri i vizitave në banesë.
“Vazhdon numri i thirrjeve të jetë stacionare, nuk kemi rritje në këtë moment më shumë se ditët e tjera.Përkundrazi rreth 200 thirrje më pak. Numri i vizitave mbetet i lartë 463 thirrje për 24 orë në banesë dhe 46% e tyre përfundojnë në spital.”– tha ai.
Pacientët shoqërohen me ambulancë në shtëpi
Brataj tha gjithashtu se janë marrë të gjitha masat për krijimin e kapaciteteve spitalore. Ndërsa shton se pacientët që shërohen, nuk ka nevojë të marrin mjeete transporti për shoqërimin e tyre në banesa, pasi kjo do bëhet me autoambulanca.
“Janë marrë masa në spitale për menazhimin më të mirë të shtretërve në 3 spitalet COVID, për të mos krijuar pritje të autoambulancave. Në këtë mënyrë po bëjmë menaxhimin e vendeve në të tre spitalet njëkohësisht. Po ashtu çdo i shëruar do të vijojë të dërgohet me autoambulancë në shtëpi. Nuk ka nevojë të gjejnë mjete transporti”– tha Brataj.
Rritet koha e pritjes për qytetarët
Brataj po ashtu ka deklaruar se është rritur koha e pritjes për qytetarët dhe ka përmendur disa arsye për këtë.
“Koha e pritjes për qytetarët është rritur, për disa arsye. Duke ditur që kryejmë 463 vizita, por ka dhe një procedurë ku nga këto janë 146 për COVID, epiket duhet të vishen dhe të shkojnë drejt pacientëve dhe triazhimin bëhet mbi bazën e gjendjes së një pacienti. Është një kontroll mjekësor, i thuhet qytetarit ‘nëse ka një përkeqësim njofto menjëherë’ sepse menaxhimi bëhet nga prioriteti i përkeqësimit të sëmundjes”, tha Brataj.
Numri që duhet të merrni nëse nuk keni mundësi kontakti me mjekun e familjes
0800 40 40, ky është numri që çdo qytetar duhet të marrë në celular në momentin që nuk ka mundësi që të komunikojë me mjekun e familjes dhe ka shfaqur simptomat e COVID.
“Nëse nuk mund të komunikoni me mjekun e familjes 0800 40 40 dhe ne i gjejmë mundësinë që të gjejmë sistemin e referimit për shërbimit që i duhet”, tha Brataj.
S’duhet të ketë frikë për mungesë të kapaciteteve spitalore
Zv.ministrja e Shëndetësisë Mira Rakaçolli komentoi shqetësimet e ngritura në media për mungesë të kapaciteteve spitalore, duke thënë se qytetarët nuk kanë asnjë arqye që të shqetësohen për këtë pasi të gjitha janë llogaritur mirë.
“Nuk duhet të kemi asnjë shqetësim për pakësim të kapaciteteve spitalore, janë të gjitha të kalkuluara me aq sa mund të kalkulohet. Jemi të kalkuluar që të shfrytëzojmë në maksimum burimet njerëzore dhe spitalore, nuk duhet të kemi frikë që kapacitete spitalore nuk do të mjaftojnë për të gjithë ata që kanë nevojë për t’u trajtuar me COVID. Asnjë frikë për mungesë të kapaciteteve spitalore”, tha Rakacolli.
Mësimi në Universitete vijon online
Ndërkohë mësimi në universitete do të vijojë online.
“Komiteti mendon që mësimi në universitete për shkak të situatës do të vazhdojë online. Ajo që ne vazhdojmë të themi me forcë është se beteja me covidin nuk është spitalore, por betejë territori dhe është betejë e të gjithëve.”– tha zv.ministrja Rakaçolli. Ajo përsëriti thirrjen për qytetarët që të zbatojnë rregullat për mbrojtjen nga koronavirusi.
Po arsimi parauniversitar?
Gazetarët ngritën pyetjen nëse ka diskutime edhe për një mbyllje të përkohshme të sistemit parauniversitar.
Zv.ministrja Rakacolli u përgjigj se me shifrat aktuale nuk parashikohet të ketë një mbyllje të shkollave dhe kjo do të ndodhë sipas saj, vetëm nëse rriten shifrat.
“Vëmendja për shkollat ka qenë gjithmonë prioritet që në 14 shtator ku u vendos hapja e shkollave dhe sikurse e kemi vënë në dije gjatë këtyre dy muajve nuk ka një ndryshim të rëndësishëm në influencën, që hapja e shkollave të ketë pasur në një rëndim të shifrave të pandemisë.
Ajo që Komiteti vlerëson në lidhje me qëndrimin karshi shkollave është në radhë të parë mirëqenia në përgjithësi e fëmijëve, dhe është orientimi që jepet së fundmi edhe nga OBSH.
Nëse shifrat që ne jemi tani që vazhdojnë të mbeten në nivel të qëndrueshëm, ka një rritje, nuk e diskutojmë për momentin sot (mbylljen e shkollave). Por është një gjë që ne e ndjekim në 24 orë. Siç kemi parë shifrat edhe ndryshojnë. Nëse do të ndryshojnë dhe do të jenë brenda numrave që kërkojnë masë të tillë që ato të jetë të qëndrueshme”– deklaroi zv.ministrja.
Statistikat – grupmoshat më të rrezikuara
Drejtoresha e ISHP-së, Albana Fico zbuloi se situata është përkeqësuar ndërsa publikoi statistikat se si ka ndryshuar raporti i infektimeve nga COVID-19 në dy javët e fundit.
Raporti i vdekjeve nga COVID të personave të prekur sipas saj është rritur me 2.1%.
“Kemi vlerësuar dhe po monitorojmë me vëmendje situatën e COVID 19 dhe ecurinë e epidemisë në vend. Ashtu siç kemi bërë me dije çdo ditë në raportimin ditor, situata paraqitet në një nivel risku të shtuar për arsye të rritjes së rasteve pozitive ditore shprehur qartë me një rritje të incidencës 14 ditore:
Incidenca dy javore rezulton e rritur me 301 persona për 100 mijë banorë.
Mesatarja ditore e rasteve pozitivë 704 për javën që lamë pas.
Raporti i vdekjeve me raste pozitivë është 2.1% gjatë kësaj jave.
Meshkuj: 48%
Femra: 52%
Moshat më të prekura: 65-74 vjeç
Ndjekur nga: 55-64 vjeç
Numri i Testimeve për persona ka kaluar në: 5.8 në 1000 /javë (rekomandimi obsh 1/1000 javë)”, tha Albana Fico./Hashtag.al