Një qytetar nga Shijaku i ka kërkuar prokurorisë që të nisë hetimet për të zbardhur shkakun e vdekjes së nënës së tij.
Bëhet fjalë për shtetasen Lirie Domi që ka ndërruar jetë në një nga spitalet covid në Tiranë. Sipas të birit, ata nuk kanë marrë asnjë testim nga spitali që e ëma e ndjerë ka qenë me koronavirus.
“Quhem Dardan Domi nga Shijaku. Jam këtu për të denoncuar një rast që ne na ka ndodhur në familje. Nëna jonë e quajtur Lirije Domi humbi jetën. Nuk morëm asnjë lloj përgjigje, por në situatën e tillë që ndodhi gjithçka besohej që të kishte COVID dhe ne besuam që ka COVID. Motra që ishte këtu kishte komunikuar me të vetmen mjeke që quhej Esmeralda Meta dhe i kishte thënë që ne duhet të komunikojmë me një nga djemtë. Në një javë vetëm e kam marrë të dielën, pas 5 ditësh që ishte e shtruar, pasdite më mori vetë. Më tha gjendja nuk është e mirë, pastaj na njoftuan të martën pas dy ditësh që nëna ka vdekur. Nuk kam marr asnjë testim nga spitali që nëna ime është pozitiv me koronavirus.” – thotë Dardan Domi.
Më tej, Domi thotë se familja e tij kërkon të dijë shkakun e vdekjes të së ëmës.
Ai shton se nëse ajo ka qenë me Covid, pse në skedën e vdekjes së saj shkruhet vdekje nga arresti kardiak dhe nëse ka vdkur nga zemra pse duhet të shtrohej në spitalin Covid.
“Unë i kërkoj prokurorisë që të fillojë sa më shpejt hetimet në rastin e nënës sime dhe çdo rast tjetër që dhe ne të dimë se cila është e vërteta. Nëse ka vdekur me COVID dhe pse është shkruar në skedën e vdekjes arrest kardiak apo nëse ka vdekur me arrest kardiak dhe pse duhet të shkonte të shtrohej në spitalin COVID ku mund ta merrte COVID-in dhe pa e pasur.” – mbyll denoncimin qytetari.