Qeveria franceze ka hedhur poshtë akuzat që një ministre pakistaneze bëri në drejtim të presidentit Emmanuel Macron, se ai kërkonte vendosjen e një numri ID-je të veçantë për fëmijët e myslimanëve.
Qeveria pranon se do të ketë një numër ID-je të veçantë por për të gjithë fëmijët, jo vetëm për fëmijët e ndonjë besimi fetar në veçanti.
“Çdo informacion i ashtuquajtur që ka të bëjë me pretendimin se synohet për të regjistruar fëmijët që shkollohen në Francë bazuar në fe, besim ose origjinë, është absolutisht i rremë.”- shkroi Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme në një postim të dielën.
Një nga ata që përhapën informacionin se kjo po bëhej vetëm për fëmijët myslimanë, ishte Shireen Mazari, ministrja e Pakistanit për të drejtat e njeriut. Ajo kishte shkruar në Twitter se “Macron po u bën myslimanëve atë që nazistët u bënë hebrenjve”. Por më vonë e fshiu postimin duke thënë se ishte i pasaktë, shkruan Business Insider.
Presidenti Emmanuel Macron javën e kaluar prezantoi një projekt-ligj që synonte të shuante ekstremizmin islamik. Sipas projektligjit, të gjithë fëmijëve në Francë do t’u caktohet një numër i veçantë identifikimi që synon të gjurmojë dhe sigurojë vijimin e tyre në shkollë.
Franca shqetësohet se fëmijët që braktisin shkollën ose që janë të shkolluar në shtëpi rrezikojnë të radikalizohen.
“Ne duhet t’i shpëtojmë fëmijët tanë nga kthetrat e islamikëve.”– i tha Ministri i Brendshëm Gérald Darmanin gazetës Le Figaro të mërkurën.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme shkroi në Twitter të dielën: “Të gjithë fëmijët duhet të ndjekin shkollën. Shkollimi në shtëpi do të jetë i kufizuar në rrethana të jashtëzakonshme.”
Çdo fëmijë në Francë që ndjek një shkollë shtetërore tashmë ka një numër identifikues, por projektligji i ri do ta zgjerojë atë edhe në shkollat private dhe shkollimin në shtëpi. Projekt-ligji do diskutohet nga ministrat francezë në 9 dhjetor.