“Top Channel” ditë më parë nisi një investigim ndaj Sadri Abazit me shpjegimin se si bashkitë kanë abuzuar me plehrat e qytetit, duke rritur artificialisht sasinë për të tenderuar më tepër para.
Në fokus të transmetimit qenë tenderat e fituar nga familja e deputetit socialist, teksa përmendej kompania “Alko Impex” me administrator nipin e deputetit, kompani që para 4 vitesh ka fituar një tender 480 milionë lekë të vjetra për pastrimin nga bashkia e Librazhdit. Po ashtu raportonte se si e njëjta kompani i trajtonte mbetjet e Kamzës si të Tiranës, duke i shkaktuar Bashkisë së Tiranës një dëm prej qindra mijëra eurosh në vit.
Edhe pse vetë “Top Channel” është në konflikt interesi për shkak se drejtori i televizionit Ben Blushi dhe aksionerja Vjollca Hoxha janë vënë në shërbim të një koncesioni që paguhet nga taksat e qytetarëve, hetimi i tyre përbën interes publik.
Ditë më parë CNA.al publikoi disa dokumente që tregonin se dy aksionerët e kompanive që kanë marrë me koncesion inceneratorët, Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, janë bashkëortakë me Ben Blushin. Njëri dokument tregonte ortakërinë në Bullgari të Mirel Mërtirit me Eva Blushin, bashkëshorten e Ben Blushit në kompaninë “EM Kapital Group” në Bullgari. Më pas kjo kompani vjen në Shqipëri dhe blen 51% të aksioneve të “Valtelina Kafe”, e cila mban emrin tregtar “Lori Kafe” dhe që ka të njëjtët pronarë me “Top Channel”. Kështu, dy dokumentet tregojnë se Hoxha dhe Blushi (nëpërmjet bashkëshortes së tij) janë ortakë me Klodian Zoton dhe Mirel Mërtirin. Këta të dy janë aksionerë të kompanive që kanë marrë me koncesion inceneratorët e Tiranës, Fierit dhe Elbasanit.
Përtej investigimit që përbën interes publik, ajo që çuditi është se si një televizion në konflikt interesi si “Top Channel” publikon shpenguar një investigim të tillë duke marrë në konsideratë se objekt i hulumtimit është deputeti i Ramës.
“Goditja” ndaj socialistit Abazi duket si një “investigim me leje” nga kryeministri Edi Rama, duke marrë në konsideratë pozicionin kyç që “Top Channel” mban në transmetimin e propagandës së qeverisë, e faktuar kjo edhe në disa shkrime të mëparshme.
Dyshimet e para mbi këtë lëvizje të re politiko-mediatike janë se Rama i ka krijuar Abazit mbrojtje ligjore, por në të njëjtën kohë i ka dhënë dritën jeshile Blushit për ta goditur mediatikisht.
Megjithatë e gjithë kjo dinamikë e risolli edhe njëherë fabulën e plehrave në një dritë të re, atë të evolimit të mafies së mbetjeve nga Sadri Abazi te Ben Blushi. Nga kontratat e vogla të familjes Abazi me bashkitë e vendit te miliardat e inceneratorëve.
Sadri Abazi që prej vitit 2013 kapi bashkitë kryesore, përfshirë edhe ato të Tiranës e Elbasanit, duke krijuar thuajse një monopol në biznesin e plehrave. Publikimi i këtyre kontratave u shoqërua edhe me skandale falsifikimesh, siç ishte rasti i inxhinierit Bekim Selmani, i cili pretendoi se i ishte keqpërdorur diploma nga “Alko Impex”.
Hashtag.al do të sjellë fakte në shkrimin e radhës edhe se si kompania e familjes Abazi ka fituar para publike duke falsifikuar edhe dokumente të tjerë të rëndësishme të parametrave teknike.
Megjithëse “stafeta” e përfitimit nga menaxhimi i mbetjeve ka kaluar nga Abazi te Blushi, transferimi i pushtetit nuk ka qenë edhe aq paqësor, siç pritet në fakt në raste fitimesh.
Lufta Blushi-Abazi është e vjetër dhe ka nisur brenda Partisë Socialiste.
Ben Blushi dhe Sadri Abazi kanë patur një marrëdhënie të nderë, shpërfaqur edhe në vitin 2015 kur të dy ishin pjesë e Asamblesë Kombëtare të PS-së.
Me sa duket Blushi nuk ka arritur dot të përtypë inatet e vjetra me Abazin, aq më shumë që Abazi, së bashku me Taulant Ballën e kanë sulmuar në themelimin e fraksionit të ri brenda Partisë Socialiste, Lëvizjes për Mendimin Ndryshe.
Kundërshtitë e Abazit dhe Ballës ndaj Blushit u bënë edhe publike asokohe, teksa Blushi i kujtonte Abazit në mbledhjen e asamblesë së socialistëve makinën “X6” me kondicioner si cilësi të vetme që e bënte anëtar të Asamblesë Kombëtare të PS-së, ndërsa Ballës i kujtonte se nuk kishte ardhur orari i pirjes së ilaçeve.
Këto sulme të Blushit vinin pas mbrojtjes që Abazi dhe Balla i bënin me fanatizëm kryeministrit Rama në asamble, teksa ky i fundit kundërshtonte mbajtjen e votimit për zgjedhjen e kryetarit brenda Partisë Socialiste.
Në dijeni të marrëdhënieve të këqija mes tyre dhe duke parë se si ka evoluar mafia e plehrave është e qartë që i pari njeri i interesuar direkt në nxitjen e kësaj lufte dhe kthimin në një spektator të saj duke fërkuar duart është kryeministri Edi Rama./Hashtag.al