Drejtoresha e Epidemiologjisë pranë Institutit të Shëndetit Publik, Eugena Tomini, në një intervistë për A2 foli mbi situatën e pandemisë në vendin tonë.
Tomini u shpreh shumë optimiste se në javën në vijim presim ulje të infektimeve, por theksoi se duhet të vijojmë të respektojmë masat e vendosura për të luftuar virusin.
“Aktualisht kemi një intensitet të lartë të qarkullimit të Covid-19 në vendin tonë. Kemi një transmetim të dendur komunitar dhe kryesisht e kemi në bashki apo qarqe që kanë popullsinë më të madhe. Po shkojmë drejt pikut më të lartë të Covid-19 në vendin tonë.
Sipas projeksioneve tona, parashikojmë që edhe në javët në vijim do të kemi një tendencë të lartë të rasteve pozitive, por duke u ndërthurur me masat e vendosura, si mbajtja e maskës apo ora policore, parashikojmë që në 4 apo 6 javët e ardhshme, duke filluar nga momentin i hyrjes në fuqi të këtyre masave, të kemi një ulje apo ngadalësim të epidemisë në vend, me shpresën edhe të një ndërgjegjësimi individual”- u shpreh Tomini.