Ministrja e Mbrojtjes i është përgjigjur me një deklaratë të gjatë denoncimit të demokrates Vokshi lidhur me përdorimin e helikopterëve nga ana e ministres Xhaçka.
Kjo e fundit shprehet e habitur dhe inidinjuar nga deklarata e Vokshit duke thënë se akuzat nuk meritojnë përgjigje pasi janë inskenime të ulëta.
“Ndoqëm sot me habi dhe indinjatë një deklaratë të znj. Albana Vokshi, e cila përsëriste pa menduar disa akuza të pabaza për përdorimin e helikopterëve të FA për të bërë fushatë elektorale, ngritur nga një individ, i cili pasi dështoi të përfshihet në listat e kandidatëve për deputet të PD, sepse u refuzua me përbuzje nga anëtarësia e kësaj partie ne qarkun e Dibrës, të cilët e njohin shumë mirë atë, karakterin dhe bëmat e tij, tenton tani të fitojë pikë me kryesinë e PD duke sajuar histori ala babale me helikopterë.
Akuza si këto, në fakt nuk meritojnë përgjigje, sepse janë inskenime të ulëta dhe përpjekje për të hedhur baltë e për të nxirë punën e mirë që është bërë në FA në këto vite. Por, në respekt të qytetarëve, duam të sqarojmë që në asnjë rast, as Ministri dhe asnjë zyrtar i lartë civil apo ushtarak i Dikasterit të Mbrojtjes, nuk ka përdorur për qëllime politike, elektorale apo personale, asnjë mjet të FA, e jo më pastaj helikopterët.” – thuhet në reagimin e ministres.
Më tej në deklaratë sqarohet se helikopterët e Forcave të Armatosura kanë të drejtë të përdoren jo vetëm nga ministrit por dhe nga drejtues të tjerë të ushtrisë duke u bazuar në ligj e procedura të mirëpërcaktuara.
“Duam t’i sqarojmë po ashtu qytetarët që jo vetëm Ministri, por edhe drejtuesit e FA kanë të drejtë, bazuar në ligj e procedura të mirëpërcaktuara, që të përdorin në përmbushje të detyrave funksionale mjetet e FA, përfshirë helikopterët. Në bazë të një plani lëvizjesh, helikopterët e FA, përdoren në mënyrë të rregullt, çdo ditë, për një sërë funksionesh, siç janë stërvitjet, evakuimet, monitorimet, inspektimet, emergjencat ajrore, udhëtimet e transporti për nevoja të FA etj. Gjithmonë në respekt të ligjit dhe gjithmonë duke lënë gjurmë të pakompromentueshme në sistem. E në këtë pikë, ia vlen të theksohet që ky përdorim do të kishte qenë i papërballueshëm për buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes nëse do të kushtonte 10.000 euro për fluturim siç pretendohet në akuzat e PD.” – vijon deklarata.
Po kështu në deklaratën e ministres thuhet se akuzat e pabaza e me motive politike vijnë nga një ish-ushtarak i diskretituar në kohën e të cilit helikopterët përdoreshin për qëllime personale e elektorale.
Ministria e Mbrojtje s e akuzon ish-ushtarakun demokrat se ka kërkuar 7000 euro ryshfet nga ushtarët e ushtaret e Forcave të Armatosura që të merrnin pjesë në misionet paqeruajtëse.
“Jemi të keqardhur, që Partia Demokratike ka kthyer sot në kauzë të vetën, akuzat e pabaza e me motive politike, të një ish-ushtaraku të diskretituar, në kohën e të cilit vërtet mjetet e FA përdoreshin për qëllime personale e elektorale, nga kërkimi për thesare e deri tek video-klipet e këngëtarëve me helikopterët e ushtrisë. Për të mos folur pastaj, për skandalin e ëikileaks, ku po ky zotëri, raportohej nga aleatët strategjikë të Shqipërisë se kërkonte 7.000 euro ryshfet nga djemtë e vajzat në uniformë që kërkonin të merrnin pjesë në misionet e NATO-s në Afganistan.” – vijon deklarata.
Në fund, ministrja thekson se Forcat e Armatosura janë sot në një realitet krejt tjetër dhe vlerësohen si institucioni më i besuar për shqiptarët.
“Sot FA përjetojnë një realitet krejt tjetër. Ato gëzojnë besimin e partnerëve dhe qytetarëve shqiptarë, të cilët i vlerësojnë FA ne anketime si institucionin më të besuar për shqiptarët. Ne jemi të vendosur të vazhdojmë në rrugën e nisur, duke çuar përpara modernizimin dhe profesionalizimin e FA, larg modelit të së kaluarës, të cilit i përket autori i këtyre akuzave.” – mbyllet deklarata.