Vendosni fjalën kyçe....

Ambasadorja Kim: Paratë e pista në Itali, Britani e SHBA pastrohen në Shqipëri


Shqipëria është destinacion i pastrimit të parave të fituara nga veprimtaritë e organizatave kriminale në Europë dhe më gjerë. Të paktën kështu është shprehur ambasadorja amerikane në vendin tonë Yuri Kim, gjatë pjesëmarrjes në një workshop organizuar nga OSBE.

Ambasada Amerikane ka zbardhur fjalën e plotë që ambasadorja ka thënë në këtë event (lexo këtu), ku bëri edhe deklaratën e fortë për Shqipërinë.

“Krimi i organizuar nuk respekton kufinj dhe reagimi ndërkombëtar duhet të mendojë dhe veprojë në përputhje me rrethanat. Të ardhurat e pista të veprimtarisë kriminale të Itali, Mbretërinë e Bashkuar ose SHBA shpesh gjejnë rrugën e tyre për në Shqipëri, ku ato pastrohen dhe përdoren për të majmur portofolet e kriminelëve, për të vajosur korrupsionin dhe për të kryer krime të tjera. Trajtimi i këtyre çështjeve në rajon dhe në botë ndërkohë që siguron përafrimin e qasjeve ligjore dhe të politikave është e rëndësishme për të minimizuar ‘arbitrazhin penal’ që lejon aktorët e këqij të shfrytëzojnë boshllëqet midis strukturave ligjore të vendeve.”– tha ambasadorja Kim.

Mes të tjerash, Kim inkurajoi përdorimin e pasurive të sekuestruara në dobi të shoqërisë.

Ajo tha se kur vendet janë të suksesshme në identifikimin dhe sekuestrimin e pasurive të fituara në mënyrë të paligjshme, kjo “dekurajon aktivitetin kriminal”.

Kim shton: “Ripërdorimi shoqëror i aseteve u dërgon një sinjal të fortë qytetarëve për forcën dhe efektivitetin e shtetit të së drejtës dhe institucioneve publike. Kjo qasje mund të krijojë biznese të qëndrueshme, të rrisë mundësitë e punësimit dhe të ndihmojë në avancimin e projekteve për të mira shoqërore në fushat e arsimit dhe fuqizimit të të rinjve.”

Në këtë takim, ambasadorja Kim ka treguar mbështetjen e qeverisë amerikane për Shqipërinë në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *