Vendosni fjalën kyçe....

Dosja e pahetuar e Sadri Abazit- Fitoi miliona euro përmes falsifikimeve dhe tarafit


Në foto: Kryeministri Rama, deputeti socialist Abazi e kreu i Kadastrës, Lame

Pasi mori 10.8 milionë euro tendera nga 7 bashki që drejtoheshin nga socialistët, Autoriteti i Prokurimeve Publike u kujtua që të skualifikonte kompaninë e familjes së deputetit socialist Sadri Abazi.

Abazi kapi bashkitë e majta nga 2014 deri më 2017-ën, duke përdorur kompaninë “Alko Impex Construction”, në të cilën rezultonte aksioner nipi i tij, Arbër Abazi.

Fokusi? Pastrimi dhe gjelbërimi i qyteteve, mes të cilëve Tirana, Elbasani dhe Kamza.

Mirëpo për Sadri Abazin nuk mjaftonte vetëm të qenurit socialist dhe “drita jeshile” nga Edi Rama për punët e viteve që i rrëmbyen buxhetit miliarda. Nevoja i lindi edhe për procese falsifikimesh, shkak ky pse APP-ja nuk kishte nga t’ia mbante veçse ta skualifikonte nga procesi.

Po si arriti ai që përmes këtyre falsifikimeve të bëhej pjesë e “konkurrencës” në tendera? Çfarë falsifikoi si fillim?

Bekim Selmani, shqiptar i Kosovës as nuk e kishte marrë me mend që një ditë një diplomë e fituar nga ai në Universitetin e Prishtinës do t’i falsifikohej nga kompania e nipit të Abazit.

Me t’u informuar, Selmani u distancua nga akti por çështja qe që nëpërmjet këtij falsifikimi Abazët kishin fituar një shumë të majmë për pastrimin e rrugëve të qytetit të Elbasanit dhe të Tiranës.

Ata kishin paraqitur në procesin e tenderimit edhe diplomën e falsifikuar, ku tregohej sikur Selmani kishte mbaruar studimet në Inxhinieri Mjedisi por verifikimet në Prishtinë treguan se në fakt Selmani kishte një diplomë në Inxhinieri Konstruktive.

Me sa duket mjeshtrat e falsifikimit kishin qenë të detyruar nga kriteret e tenderit që kërkonte nga kompania ekspertë mjedisi dhe sigurisht për të fituar miliona, kompania e nipit të Abazit ishte në gjendje të bënte gjithçka.

Me të njëjtën kokëfortësi falsifikatore kompania e Abazit ka dashur të rrëmbejë edhe në Bashkinë e Korçës mbi 350 milionë lekë të reja por sharra i ka ngecur në gozhdë duke mos ia dalë dot.

Në foto: Deputeti i PS-së, Abazi e kryebashkiaku i Tiranës, Veliaj

Kontrata e Prishtinës

Te qëllimi për t’ia dalë me çdo kusht hyn edhe një falsifikim tjetër. Kompania e familjes Abazi kishte treguar në procesin e tenderimit edhe se kishte të punësuar 4 inxhinerë, mes të cilëve edhe Selmani por në fakt ata nuk kishin patur kontrata punësimi. Me numra punësimi që nuk rakordonin, specialistët e tenderimit brenda “Alko Impex”-it ishin drejtuar te APP-ja.

Pjesë e procedurës së zakonshme të tenderimit ishte edhe faktimi i përvojave të mëparshme, të ngjashme me atë që kërkohet të fitohet në tenderin nga kompania që merr pjesë.

Në këtë rast Abazët u treguan të përmbajtur për të paraqitur një kontratë të vërtetë me Komunën e Prishtinës por s’e përmbajtën zakonin e falsifikimit te shuma e saj. Edhe kjo brenda devizës “qëllimi justifikon mjetet”. Nga rreth 4 mijë e 600 euro në javë, kontrata ishte shndërruar me shkopin magjik në rreth 15 mijë euro në javë.

Faktet e reja mbi falsifikimet e tjera të panjohura; inxhineri Pllana

Meqë kishin ushtruar dorën me falsifikimin e diplomës së inxhinierit të parë lidhur me tenderin e Bashkisë Elbasan, specialistët e kompanisë menduan ta provojnë edhe me një inxhinier të dytë, në tenderin e Bashkisë Kavajë ku luheshin mbi 147 milione lekë të reja.

Meqë autoriteti konkurues kërkonte që në staf të kompanive konkurente duhet të ishte edhe një inxhinier kimie, opsioni ishte gati. Le ta shpikim, jo thjesht të bëjmë ndryshime germash në diplomë.

Naim Pllanës iu paraqit nga kompania në tenderim një diplomë totalisht e trilluar duke komunikuar e zeza mbi të bardhë se shqiptari i Kosovës kishte mbaruar Fakultetin e Shkencave Matematikë-Natyrore, kur në fakt në këtë fakultet nuk figuronte asnjë dosje studenti me emrin e tij. Vetë përfaqësuesit e fakultetit në Mitrovicë shpjegonin se në periudhën kur shënohej si datë fillimi i studimeve të Pllanës në dokumentet e paraqitura për tenderim, as që ekzistonte në këtë universitet një program i Inxhinierisë së Kimisë.

Në foto: Deputeti i PS-së, Sadri Abazi, kreu i Kuvendit Ruçi, ish-ministri Xhafaj e kryebashiaku i Tiranës, Veliaj

9 kontratat aktuale të “Alko Impex” që duhen hetuar

Janë së paku 9 kontrata pastrimi dhe menaxhimi mbetjesh të kompanisë së nipit të Sadri Abazit që duhen hetuar, përveç marrjes në shqyrtim nga Prokuroria të informacionit bërë publik në rrugë mediatike lidhur me falsifikimet në dokumentacion të kontratave fituar më herët.

2 kontratat ende funksionale janë lidhur më 2018 dhe 7 të rejat janë firmosur gjatë këtij viti të vështirë të pandemisë.

Punët e pandërprera të Abazëve me vlerë mbi 1.4 miliardë lekë të reja, influencuar nga lidhjet politike por edhe nga angazhimi i tyre për t’u hyrë aktiviteteve të jashtëligjshme duke qenë se askush nuk i ka penguar të vjelin para, lidhen sërish me autoritete të njohura si Bashkia Kavajë apo ndonjë bashki e re, si Shkodra.

Fokusi? Sërish pastrimi dhe menaxhimi i mbetjeve, të cilat tashmë kanë evoluar, duke kaluar më bollshëm në duart e Ben Blushit me inceneratorët. /Hashtag.al

Në foto: Diploma origjinale e Bekim Selmanit

Në foto: Diploma e falsifikuar e Bekim Selmanit


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *