Vendosni fjalën kyçe....

Imzot George Frendo del nga spitali në Itali ku po trajtohej për Covidin


Besimtarët katolikë kanë marrë lajmin e mirë se imzot George Frendo është shëruar nga Covidi dhe ka dalë nga spitali ku po trajtohej në Itali.

Kujtojmë se Frendo u dërgua në një spital në Bari para më shumë se një jave, për shkak të komplikimeve me koronavirusin.

Disa ditë më parë ai dha lajmin se gjendja e tij ishte përmirësuar dhe se mezi priste të kthehej në shtëpi. Ndërsa sot, Arqipeshkvëria Metropolitane Tiranë-Durrës thotë se Frendo ka dy ditë që ka dalë nga spitali dhe se po qëndron i karantinuar derisa të marrë përgjigjen negative të tamponit.

“Përmes këtij komunikimi, ju informojmë se gjendja shëndetësore e Sh. T. Imzot George Frendo, Arqipeshkëv Metropolit i Tiranë-Durrës, dhe President i Konferencës Ipeshkvore Shqiptare, (KISH), paraqitet shumë e mirë. Ka dy ditë që ka lënë spitalin ‘Acquaviva delle Fonti’, në Miulli (Bari). Aktualisht ndodhet në Kuvendin Françeskan Kapuçin në Bari, duke zbatuar karantinën e nevojshme deri në përgjigje të një tamponi të dytë që të rezultojë negativ nga Covid-19.
Nga kontakti i sotëm, që kemi pasur, ai i përcjell falënderimet dhe mirënjohjet e sinqerta për stafin mjekësor të Spitalit, për etërit Françeskan Kapuçin, ku aktualisht po qëndron, si dhe për të gjithë njerëzit dhe besimtarët të cilët e kanë kujtuar dhe vazhdojnë ta kujtojnë në lutje.
Ne vazhdojmë të lutemi, që ngushëllimi dhe prania e Zotit t’i mbështesë të gjithë ata që sot janë të sprovuar nga sëmundja si dhe çdo person i angazhuar në vijën e parë të kujdesit dhe shërbimit për ta.” – thuhet në një njoftim nga Arqipeshkvëria Metropolitane Tiranë-Durrës.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *