Autoritetet franceze të taksave kanë kontaktuar një numër të madh të kompanive të teknologjisë amerikane, duke u kërkuar të paguajnë miliona euro, pas vendosjes së taksën së re dixhitale.
“Amazon” dhe “Facebook” janë ndër kompanitë që janë njoftuar se pritet të paguajnë taksën prej 3 % për çdo të ardhur të gjeneruar nga kompanitë e mëdha të teknologjisë që operojnë në Francë, shkruan RT.
Ministri i Financave i Francës, Bruno LeMaire, ka vlerësuar se taksa e re mund të sjellë rreth 500 milion euro të ardhura për qeverinë. Mirëpo SHBA-ja e ka kritikuar këtë masë si të padrejtë ndaj kompanive amerikane dhe kërcënoi të hakmerret me tarifa për mallrat franceze, përfshirë këtu djathin dhe verën, duke rrezikuar potencialisht një luftë tregtare midis dy kombeve.
Taksa e re u miratua fillimisht nga qeveria franceze në korrik të vitit 2019, por vendi ra dakord të pezullojë mbledhjen e taksës në janar, në mënyrë që të lejojë Organizatën për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD) të krijojë një kornizë ndërkombëtare për kompanitë e teknologjisë.
Kompanitë e teknologjisë zakonisht e kanë shmangur pagimin e taksave në vendet në të cilat veprojnë, duke e vendosur selinë e tyre në kombe me ligje më të relaksuara të taksave. SHBA fillimisht mori pjesë në procesin e OECD, por u tërhoq nga bisedimet në qershor.
Një zëdhënës në ministrinë e financave të Francës e mbrojti taksën, duke u thënë mediave britanike se “Franca mbetet e përkushtuar për të gjetur një zgjidhje ndërkombëtare në mënyrë që kompanitë dixhitale të paguajnë pjesën e tyre të drejtë të taksave ashtu si kompanitë e tjera”.
Franca nuk është vendi i parë që fut një taksë të shërbimeve dixhitale. Spanja dhe Mbretëria e Bashkuar kanë aprovuar një lëgjislacion të ngjashëm për t’u përpjekur të detyrojnë kompanitë e teknologjisë, të paguajnë një pjesë më të drejtë të taksave mbi fitimet e gjeneruara në ato vende.