Në 1 vjetorin e tërmetit të 26 nëntorit 2019, kryeministri Rama, ka shpërndarë në faqen e tij në Facebook një video, ku rrëfen përjetimet e tij, punën e tij, stresin që përjetoi gjatë atyre ditëve.
I konceptuar me shumë kujdes, që nga muzika, uljet e ngritjet e saj, rrëfimi i Ramës që nis në një errësirë blu, më pas ngjyrat nisin e çelen deri sa në fund de e plotë drita e diellit, duhet thënë se në vetvete videoja është realizuar mirë e bukur.
Ajo tregon stresin që ka përjetuar Rama, punën e palodhshme të tij, sistemimin e të prekurve nga tërmeti, sigurimin e të hollave për rindërtimin ndërsa në fund kreu i qeverisë flet për lidhjen qeveri popull, për rindërtimin, për të ardhmen e vendit.
Kryeministri rrëfen në mënyrë mallëngjyese edhe frikën e tij nga vetmia dhe stresin për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve të prekur.
Deri në këtë pikë, videoja e arrin qëllim dhe kushdo që nuk njeh edhe anën tjetër të medaljes, do prekej thellë në shpirt e do bindej për gjithçka rrëfen kreu i qeverisë.
Megjithatë çdo medalje ka të paktën dy anë. Provojmë t’i vëmë përballë rrëfimit të kreut të qeverisë anën tjetër, që në këtë video mungon, atë të qytetarëve të prekur nga tërmeti.
Sot, 1 vit nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, pjesa dërrmuese e mijëra qytetarëve që mbetën pa shtëpi e katandi nga tërmeti janë ende jashtë, në çadra, te të afërmit apo në banesa me qira.
Ndërsa kryeministri Rama e ministri Ahmetaj kanë muaj që rendin sa në një kantier në tjetrin, duke u kujdesur që çdo gjë të shfaqet mirë e bukur në ERTV, media të tjera e portale, vetëm disa dhjetëra banesave nga mijëra të tilla që duhen ndërtuar, kanë përfunduar.
Ndërkohë shkollat në qytetet e prekura ngë tërmeti bëjnë mësim me tre apo katër turne. Në ato pak dritare denoncimi që u janë dhënë, qytetarët në Thumanë, Laç, Lezhë, Durrës, Mat e Tiranë kanë denoncuar me zë e figurë mungesën e ndihmës nga ana e qeverisë.
Një pjesë pretendojnë ende se shumë kohë nga tërmeti atyre nuk u është bërë ende vlerësimi i dëmeve, le më ndonjë dëmshpërblim i mundshëm.
Si gjithnjë në daljet e tij, kreu i qeverisë nuk harron dy elementë. Kritikat ndaj opozitës dhe autokritikën. Gjë që ndodh edhe në pjesën e fundit të rrëfimit të tij teksa flet për të ardhmen e ndritur të vendit dhe sesi tërmeti farkëtoi lidhjen mes popullit dhe qeverisë dhe se si kjo e fundit do punojë edhe më shumë në të ardhmen.
Megjithatë videos së realizuar në mënyrë thuajse perfekte të Ramës, mjafton t’i vësh përballë dy fjali të thëna nga një e moshuar pak kohë më parë, së cilës tërmeti i shkatërroi shtëpinë dhe që jeton prej një viti në çadër bashkë me bashkëshortin.
Ajo i drejtohet kreut të qeverisë duke i thënë: Këtë i thuaj atij Edi Rmës, ishin dy pleq. Kanë qejf shumë që të shkosh t’i shohësh vetë në çfarë gjendje janë. Ti shko e shihi drejt e te shtëpia dhe vendos ti se çfarë po bëhet.” /Hashtag.al
*Video Credit: Faqja e kryeministrit Rama në Facebook e emisioni Tempora