Vendosni fjalën kyçe....

Avdullah Hoti rrëzon thashethemet: Nuk do jap dorëheqjen


Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka reaguar lidhur me zërat që po qarkullojnë në mediet e Kosovës se ai ka ofruar të japë dorëheqjen.

 Ai ka deklaruar se këto informacione janë të pavërteta.

“Informacionet të cilat po qarkullojnë nëpër media për dorëheqjen time janë të pa vërteta. Me veprimet e mia kam dëshmuar gatishmëri e përkushtim për të ofruar zgjidhje për të gjitha çështjet e ngritura, duke zhbllokuar madje edhe proceset komplekse nëpër të cilat ka kaluar vendi siç ishte vendimi për vazhdimin e dialogut me parime dhe arritja e marrëveshje së 4 shtatorit në Uashington, hartimi i pakos emergjente dhe asaj për rimëkëmbje ekonomike dhe masat konkrete në menaxhimin e pandemisë Covid -19.”– shkruan Hoti në Facebook.

Ai ka komentuar edhe zhvillimet e fundit nga Specialja dhe çështjen e zgjedhjes së presidentit të ri pas dorëheqjes së Thaçit.

 “Sa i përket zhvillimeve të fundit pas veprimeve të Dhomave të Specializuara dhe dorëheqjes së ish-Presidentit Thaçi, e kam bërë të qartë se partitë parlamentare i kanë dy opsione, të gjejnë zgjidhje për çështjen e Presidentit ose të dakordohen për datën e zgjedhjeve. Por, asnjëherë në asnjë kontekst nuk e kam përmendur dorëheqjen si opsion.”– thekson Hoti.

Ditën e enjte analisti Astrit Gashi, tha se kishte informacione se kryeministri Hoti ka përmendur mundësinë e ofrimit të dorëheqjes.

“Ka informata që kryeministri Hoti ka përmendur edhe mundësinë e ofrimit të dorëheqjes. Është i gatshëm të jap dorëheqjen”, kishte deklaruar Gashi.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *