Sekretari i Përgjithshëm i PD-së Gazment Bardhi ka reaguar pas publikimit të bilancit të rindërtimit për Durrësin nga kryeministri Edi Rama një vit pas tërmetit shkatërrimtar.
Bardhi thotë se Rama pas një viti ka bërë vetëm premtime dhe pak punë.
“Procesi i rindërtimit pas tërmetit është një nga dështimet e mëdha të Edi Ramës. Bilanci i tij një vjeçar është shumë premtime, fare pak punë.
Më konkretisht:
Premtoi se deri në dhjetor familjet do të futeshin në shtëpitë e tyre. Per 1 vit, ka ndërtuar vetëm 2.6% të shtëpive.
Premtoi se në shtator nxënësit do të kishin shkollat e reja dhe qytetarët spitale të reja. Pas një viti, ka ndërtuar vetëm 3% të shkollave të premtuara dhe zero spitale.
Bilanci 1 vjeçar pas tërmetit i Edi Ramës është zero pallate të reja të ndërtuara.
Edi Rama ka arritur vetëm një objektiv me rindërtimin. U ka dhënë klientëve të vet shumicën e fondit për rindërtimit. Vetëm Safet Gjicit i ka dhënë 35 milionë euro me një dorë.
Koha e Edi Ramës dhe mashtrimeve të tij ka mbaruar! Është koha të kemi një qeveri që punon për qytetarët!”-shkruan Bardhi.