Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, thotë se ka nisur sot programi i vaksinimit kundër gripit falas për edukatorët dhe arsimtarët në të gjithë vendin.
Ajo vizitoi sot kopshtin 36 në Tiranë, ku u krye vaksinimi i stafit dhe shoqërohej nga kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj.
“Sot kemi filluar vaksinimin për të gjithë edukatorët, arsimtarët.” – iu drejtua ajo Veliajt.
“U angazhuam që në krye të herës për të siguruar vaksinën ndaj gripit për grupet e riskuara dhe arritëm që ta 4-fishonim sasinë e dozave të vaksinës për këtë vit, për të siguruar një barrierë më të mirë mbrojtëse për të gjithë grupet e riskuara dhe sot nisim programin e vaksinimit në komunitet, pranë vendit të punës, për të gjithë edukatore dhe arsimtarët në të gjithë vendin”, tha Manastirliu.
Ajo shtoi se vetëm dy ditë më parë, ishin shpërndarë në qendra shëndetësore edhe 230 mijë doza të vaksinës kundër gripit.
“Edhe 230 mijë doza të vaksinës kundër gripit falas që kanë mbërritur dy ditë më parë janë shpërndarë në qendra shëndetësore, pjesë e sasisë prej 380 mijë vaksinash që qeveria i financoi falas, për të siguruar vaksinimin e sigurt të të moshuarve, të sëmurëve kronikë dhe grupet e tjera të riskut, mes të cilave edhe një kategori e ndjeshme për ne siç janë edukatoret dhe arsimtarët. Eshtë një moment i rëndësishëm për të kujtuar edhe njëherë të gjithë qytetarët që janë në grupet e riskut, për t’u lidhur me mjekun e familjes dhe për të bërë vaksinën kundër gripit falas në qendrën tuaj shëndetësore”, deklaroi ministrja.
Ajo e konsideroi vaksinimin kundër gripit si një ushtrim të mirë parapërgatitor për vaksinën kundër koronavirusit.