Profesori i kirurgjisë dhe mjek kirurg në QSUT, Arben Beqiri, i ka bërë thirrje Prokurorisë që të hetojë denoncimin e kryedemokratit Lulzim Basha, për fshehjen e numrit të viktimave të COVID-19.
Përmes një postimi në Facebook, Beqiri shprehet se sa më shumë kohë kalon nga mungesa e hetimeve, aq më shumë do përpiqet qeveria të ndërtojë skenarë për të fajësuar mjekët.
Ai ngre pyetjen se pse kur raportohet numri i të shëruarve, nuk referohet asnjëherë nga qeveria numri i pacientëve të ekstubuar. “Si mund të justifikohet kjo!”– shprehet ai.
Arben Beqiri është profesor i Kirurgjisë në Universitetin e Mjekësisë në Tiranë, dhe kirurg në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.
Deklarata e plotë e mjekut Beqiri:
Sa më shpejt që të hetojë prokuroria aq më shpejt do të bëhet e qartë se është qeveria dhe direktivat e saj autori i manipulimeve me statistikat, numrat, vdekjet! Sa më shumë kohë kalon, aq më shumë qeveria do përpiqet të ndërtojë skenarë për të fajësuar mjekët.
E vërteta është një, të tjerat janë opinione: Kryeministri dhe Ministrja e Shendetësisë janë të vetmit të interesuar që situata të fshihet madje të paraqitet më e mirë se në Gjermani!
Nga ana tjetër një mjek hetohet edhe për një pacient të vetëm, një kartelë të vetme, një skedë vdekjeje të vetme! Kështu ka qenë e kështu do të jetë. Por kur me dhjetra e qindra raste dalin nga morgu të pareferuar si covid e vetmja që duhet të hetohet është qeveria!!!!
Mjekët mund të gabojnë. Madje jam i sigurt që me mënyrën se si janë organizuar shërbimet në spitalet Covid, ku mungojnë infermierë dhe mjekë (një vit më parë dhashë alarmin për largimin masiv të mjekëve dhe personelit të mesëm drejt perëndimit në emisionin Opinion), kur shpesh shërbejnë specializantë të vitit të parë apo të dytë ndaj pacientëve më kompleks, gabimet janë prezente por ato janë individuale, të paqëllimshme. Fshehja e të vërtetës nga qeveria është e qëllimshme. Ajo duhet të dënohet!
Mjafton një fakt që nuk referohet asnjëherë nga qeveria kur raportohet numri i të shëruarve, numri i pacientë të ekstubuar!!!! Kjo e vë mjekësinë tonë në nivele të mjerueshme, por edhe heronjtë tanë nuk i nderon!
Si mund të justifikohet kjo!!!
Por kur në mungesë të protokolleve që në fillimet e kësaj pandemie përdoren si lumë antibiotike dhe kur vjen momenti i intubimit asgjë nuk funksionon… rezultatet shihen!!! Prapë përgjegjësi e qeverisë dhe komitetit që kanë ecur në amulli të plotë…