Vendosni fjalën kyçe....

“Pse na e djegin bukën e gojës?”- 150 gra në Përmet dalin në protestë pas mbylljes së fasonerisë


Pasi u mbyll fasoneria ku punonin, rreth 150 gra në Përmet janë ngritur sot të protestojnë përpara bashkisë.

Fasoneria është mbyllur nga ana e Drejtoria e Shëndetit Publik në këtë qytet pas raportimit të disa rasteve me koronavirus të punonjësve të kësaj fasonerie.

Gratë në protestë shprehen se punonjëset që kanë rezultuar me Covid-19, janë karantinuar në banesa dhe pronari i fasonerisë i ka marrë të gjitha masat e protokollit të Covid-19, duke nisur që nga mbajtja e distancës, maskës dhe dezinfektuesit. Ata e konsiderojnë të padrejtë mbylljen e gjithë fasonerisë.

Ato shprehen se të ardhurat që fitonin nga puna në fasoneri ishtin e vetmja e ardhur që kishin për të mbajtur familjen.

“Pronari është shumë i rregullt. Kush ka dalë me korona është karantinuar, raportet po i marrin rregullisht, ilaçet rregullisht. Jemi shumë të rregullt në punë. Pse na e prishin punën? Të falimentojmë? Ku do vemi, mendoni 150 gra ku do vemi? Na jep pagën e luftës, të na japë ditën. Nuk na e ka për detyrë pronari, se ai e ka me ditë punë. Pronari thotë e mbajtëm distancën se ma kërkoi bashkia, qeveria. Higjinenën e mbajti. Çfarë të bëjë më pronari. Pse lozin me neve? Pse na e djegin bukën e gojës.”- tha një nga protestueset.

Punonjëset e fasonerisë shprehen se edhe gjatë muajve të karantinës kur u mbyllën fasoneritë, ato nuk e përfituan pagën e luftës. Turma më pas u shpërnda pasi policia nuk i lejoi të vijojnë protestën, për shkak të rregullave për mbrojtjen nga Covidi.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *