Pas vizitës në Abu Dabi, kryeministri Edi Rama ka vizituar qytetin e Fushë- Krujës, për të parë si po ecin punimet për lagjen e re që po ndërtohet për banonët e prekur nga tërmeti i 26 nëntorit. Ai ishte i shoqëruar nga ministri për Rindërtimin, Arben Ahmetaj.
E ndërsa diskutonte me ministrin e me inxhinierët për punimet, kryeministri nuk ngurroi t’u jepte atyre dhe disa këshilla.
Ai i këshilloi që kapakët e kabinave të vogla elektrike të jenë me ngjyra dhe jo gri siç e parashikon projekti.
“Kapakët shikoni mos i bëni me disa ngjyra. Jo shumë, por të ketë një lloj kombinimi se e i jep një lloj atmosferë tjetër sipas ngjyrave që kanë.”– ishte porosia e kryeministrit.
Ndërkohë ministri Ahmetaj tha se brenda një periudhë të shkurtër do të fillojë edhe rindërtimi i pallateve. Ai theksoi se ka një kombinim me 128 banesa individuale. Puna sipas tij ka ecur me ritme shumë të shpejta dhe deri tani kemi 100 banesa kolektive.