Rusia ka arritur një marrëveshje me Indinë për të prodhuar 100 milion doza të vaksinës “Spuntik V” në vit.
“Russia Today” shkruan se Fondi Rus i Investimeve Direkte (RDIF) dhe kompania farmaceutike indiane Hetero kanë rënë dakord të prodhojnë më shumë se 100 milion doza të vaksinës ruse “Sputnik V” kundër Covid-19 në vit në tokën indiane.
RDIF tha se prodhimi do të fillojë në fillim të vitit të ardhshëm.
Shefi i RDIF-it, Kirill Dmitriev tha se marrëveshja do t’i “sigurojë popullit të Indisë një zgjidhje efikase në këtë periudhë sfiduese të pandemisë”. Ai shtoi se Sputnik V duhet të bëhet “një pjesë integrale e portofolit kombëtar të vaksinave” të çdo vendi.
Drejtori i marketingut ndërkombëtar në kompaninë farmaceutike indiane Hetero Labs Limited, e përshëndeti bashkëpunimin si “një hap tjetër drejt angazhimit tonë në betejën kundër Covid-19”.
“Ndërsa ne presim me padurim për rezultatet e provave klinike në Indi, ne besojmë se prodhimi i produktit në vend është thelbësor për të mundësuar hyrje të shpejtë te pacientët.”– tha B. Murali Krishna Reddy.
Në muajin gusht, Rusia u bë vendi i parë që regjistroi një vaksinë kundër Covid-19. Të martën, zyrtarët rusë thanë se shkalla e efikasitetit të Sputnik V ishte 91.4 përqind.