Papa Françesku ka kritikuar qytetarët që kanë protestuar e protestojnë kundër kufizimeve të vendosura nga qeveritë lidhur me pandeminë Covid-19.
Në një shkrim në New York Times në Ditën e Falënderimeve, kreu i Kishës Katolike vlerësoi qeveritë që po bëjnë përpjekje të mëdha për të mbrojtur qytetarët nga virusi.
Më tej ai kritikoi protestuesit që janë shfaqur në disa vende e që kundërshtojnë kufizimet e vendosura nga qeveritë.
Vlen të theksohet se Papa Françesk nuk ka bërë ndonjë kritike ndaj protestuesve të Black Lives Matter e Antifa lidhur me rrezikun e përhapjes së pandemisë Covid-19.
“Me disa përjashtime, qeveritë kanë bërë përpjekje të mëdha për të vendosur mirëqenien e njerëzve të tyre në radhë të parë, duke vepruar me vendosmëri për të mbrojtur shëndetin dhe për të shpëtuar jetë. Përjashtime kanë qenë disa qeveri që hoqën dorë duke çuar në pasoja të pashmangshme e të rënda. Por shumica e qeverive vepruan me përgjegjësi, duke vendosur masa të rrepta për të kontrolluar shpërthimin e pandemisë.” – shkruan ai.
Më tej në shkrimin e tij, Papa Françesk, kritikon grupet e protestuesve duke theksuar se masat e qeverive nuk synojnë autonominë e as liritë personale të qytetarëve.
“Megjithatë, disa grupe protestuan, duke refuzuar të mbanin distancën, duke marshuar kundër kufizimeve të udhëtimit – sikur masat që qeveritë duhet të vendosin për të mirën e popullit të tyre përbëjnë një lloj sulmi politik ndaj autonomisë ose lirisë personale! Shikimi drejt së mirës së përbashkët është shumë më tepër sesa shuma e asaj që është e mirë për individët. Do të thotë të kesh një kujdes për të gjithë qytetarët dhe të kërkosh t’u përgjigjesh në mënyrë efektive nevojave të atyre që nuk kanë më fat. Është shumë e lehtë për disa të marrin një ide – në këtë rast, për shembull, lirinë personale – dhe ta kthejnë atë në një ideologji, duke krijuar një prizëm përmes të cilit ata gjykojnë gjithçka.” – shtoi në shkrimin e tij Papa Françesk.