Vendosni fjalën kyçe....

Rohani akuzon Izraelin për vrasjen e shkencëtarit bërthamor iranian


Presidenti Iranian, Hassan Rohani ka thënë se Izraeli ka vepruar si “mercenar” për Shtetet e Bashkuara, lidhur me vrasjen e një shkencëtari iranian afër Teheranit.

“Edhe një herë, duart e liga të arrogancës globale, me regjimin uzurpator zionist si mercenar, u njollosën me gjakun e një djali të këtij kombi”, ka thënë Rohani në faqen e tij zyrtare më 28 nëntor.

“Arroganca globale” është shprehje që shpesh përdoret nga zyrtarët iranianë për t’iu referuar Shteteve të Bashkuara “derisa regjimi uzurpator zionist”, është referencë për Izraelin,shkruan REL.

Shkencëtari bërthamor, Mohsen Fakhrizadeh, është vrarë afër Teheranit më 27 nëntor, në një sulm që kërcënon përshkallëzimin e tensioneve në mes të Iranit, Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit.

Udhëheqësi i agjencisë bërthamore të Iranit, Ali-Akbar Salehi, është zotuar që vrasja e Fakhrizadehit nuk do të dëmtojë programin bërthamor Iranian.

Irani ka fajësuar menjëherë Izraelin për vrasje, derisa ka sugjeruar se Shtetet e Bashkuara kanë qenë të përfshira në mënyrë direkte ose jodirekte në sulm.

Vrasja ka ndodhur kur një kamion me pajisje ndezëse ka shpërthyer afër veturës që ka bartur Fakhrizadehun në qytetin Absard, afër Teheranit, kanë raportuar mediat shtetërore.

Kur vetura është ndalur, të paktën pesë sulmues të armatosur janë përleshur me armë zjarri me pjesëtarët e sigurisë së shkencëtarit.

Ministri i Jashtëm Iranian, Mohammad Javad Zarif ka pretenduuar se “ka shenja serioze për rol të Izraelit” në vrasje.

Ai i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian “që t’iu japë fund standardeve të turpshme të dyfishta dhe të dënojë këtë akt të terrorizimit shtetëror”.

Izraeli nuk është deklaruar për vrasjen e Fakhrizadehut, ashtu sikurse Pentagoni, Shtëpia e Bardhë, Departamenti amerikan i Shtetit, Agjencia Qendrore e Inteligjencës (CIA).

E përditshmja amerikane, The New York Times, duke cituar një zyrtar amerikan dhe dy zyrtarë të inteligjencës, ka thënë se Izraeli qëndron mbrapa sulmit ndaj shkencëtarit, ndonëse nuk është bërë e qartë nëse SHBA-ja ka pasur njohuri për këtë operacion.

Kryeministri izrealit, Benjamin Netanyahu ka përmendur emrin e Fakhrizadeh në një prezantim më 2018, teksa ka zbuluar një mori dokumentesh të vjedhura rreth aktiviteteve të dyshuara bërthamore të Iranit, duke thënë: “Mbajeni në mend këtë emër”.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *