Shefja ekzekutive e Hong Kongut, Carrie Lam, ka deklaruar gjatë një interviste televizive se ajo është e detyruar të mbajë “grumbuj parash” në shtëpi pasi nuk ka një llogari bankare.
Kjo për shkak të sanksioneve të vendosura ndaj saj nga Thesari i SHBA-ve.
Siç shkruan BBC, sanksionet ndaj zonjës Lam dhe zyrtarëve të tjerë janë vendosur si përgjigje ndaj ligjit të ri të sigurisë së miratuar nga Kina për Hong Kongun.
Rrëfimi i Lam ka nxitur spekulime në mediet sociale se si qeveria arrin t’ja dërgojë asaj pagën në shtëpi.
Në intervistën e transmetuar të premten në mbrëmje, zonja Lam tha se po “përdorte para cash çdo ditë për të gjitha gjërat”.
“Ulur para jush është një shefe ekzekutive e Hong Kongut, e cila nuk ka asnjë shërbim bankar në dispozicion të saj.”– i tha ajo kanalit televiziv HKIBC.
“Unë kam grumbuj parash në shtëpi, qeveria po ma paguan në para të thata rrogën time sepse nuk kam llogari bankare.”– shtoi ajo.
Lam tha gjithashtu se ndihej “shumë e nderuar” që ishte sanksionuar “në mënyrë të padrejtë” nga qeveria amerikane.
Carrie Lam konsiderohet se është një nga lideret më të paguara në botë, me një pagë vjetore prej 670,000 dollarë.