Serbia dhe Mali i Zi kanë dëbuar ambasadorët e njëri-tjetrit për shkak të një mosmarrëveshje historike që daton më shumë se një shekull.
Ambasadori serb në Malin e Zi, Vladimir Bozovic, përshkroi një vendim të autoriteteve malazeze në 1918 për t’u bashkuar me Serbinë si një “çlirim“.
Mirëpo siç shkruan BBC, pas kësaj ai u akuzua se po ndërhynte në punët e Brendshme të Malit të Zi, dhe iu dha 72 orë kohë për t’u larguar.
“Mali i Zi e shpalli ambasadorin e Serbisë, Vladimir Bozovic persona non grata për ndërhyrje në çështjet e brendshme duke i dhënë 72 orë kohë për të lënë vendin”, reagoi Ministria e Punëve të Jashtme të Malit të Zi.
Pas kësaj, Serbia u përgjigj duke përzënë gjithashtu ambasadorin e Malit të Zi, Tarzan Millosheviç.
“Ambasadori i Malit të Zi, Tarzan Milosevic duhet të largohet nga vendi brenda 72 orëve”, deklaroi Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë.
Asambleja e vitit 1918 vendosi që Mali i Zi të bëhej pjesë e Mbretërisë së Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve, e cila më vonë u njoh si Jugosllavi. Në vitin 2006, Mali i Zi deklaroi pavarësinë, duke u bërë një shtet sovran për herë të parë që nga fundi i Luftës së Parë Botërore.
Ambasadori serb Bozoviç e kishte cilësoi ditën e premte si “çlirim” asamblenë e vitit 1918, që kishte vendosur që Mali i Zi të bashkohej me Serbinë, duke humbur pavarësinë e saj.
“Ishte një shprehje e lirë e vullnetit të njerëzve për t’u bashkuar me motrën Serbi.”- tha ai gjatë një takimi të një shoqate që përfaqësonte serbët e Malit të Zi.
Sipas Malit të Zi, “Bozoviç, në mënyrën më të drejtpërdrejtë, ka denigruar shtetin që i dha mikpritjen diplomatike”.