Vendosni fjalën kyçe....

Meta mesazh të rinjve shqiptarë: Keni detyrë të madhe të ndalni shpopullimin e vendit


Presidenti i vendit, Ilir Meta mori pjesë sot në homazhet në Varrezat e Dëshmorëve, me rastin e 76-vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë.

Gjatë fjalës së tij, presidenti kujtoi sakrificat sublime dhe heroizmin e martirëve, të cilët luftuan dhe dhanë jetën e tyre për Lirinë.

Ai foli për edukimin patriotik të brezave të rinj, duke e konsideruar si një detyrë me rëndë. Meta tha se të rinjtë e Shqipërisë sot kanë një detyrë shumë të madhe por e kanë pak më të lehtë për t’I dhënë fund shpopullimit të vendit. Sipas tij vetëm duhet të angazhohen më shumë.

“Sot, ne jo vetëm duhet të kujtojmë këta heronj e atdhetarë, por dhe veteranë, që kanë luftuar për çlirim e Shqipërisë dhe që ju urojmë jetë të gjatë, por, njëkohësisht edhe duhet t’i kushtojmë shumë rëndësi edukimit patriotik të qytetarëve, të fëmijëve, të të rinjve dhe forcimit të ndenjave të atdhedashurisë.

Nëse të rinjtë e asaj kohe bën një detyrë jashtëzakonisht shumë të vështirë për vendin tonë, sot, të rinjtë e Shqipërisë kanë një detyrë shumë të madhe por e kanë pak më të lehtë.

Veç se duhet të kenë shumë vetëbesim, duhet të kenë më shumë angazhim, dhe duhet të marrin më shumë përgjegjësi, në mënyrë që të ndalin shpopullimin e Shqipërisë, nga të rinjtë në radhë të parë dhe nga të gjithë shqiptarët.

Por, jo vetëm kaq, po të bëjnë të mundur, që edhe të gjithë ata që kanë ikur, të kthehen dhe të kontribuojnë në vendin tonë, për ta bërë Shqipërinë vërtet si gjithë Europën.”– deklaroi presidenti.

Ai tha se është “tepër optimist, që shqiptarët e kanë të qartë se kërkohet një ndryshim i jashtëzakonshëm”, dhe që ky ndryshim të ndodhë ata duhet të marrin fatet e tyre në duart e tyre, pasi “nuk kanë nga të presin”.

Një qëndrim të ngjashëm e mbajti edhe në një postim në Facebook.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *