Vendosni fjalën kyçe....

Papa Françesku zgjedh kardinalët e rinj, mes tyre afro-amerikanin e parë


Papa Françesku ka emëruar të shtunën 13 kardinalë të rinj, mes të cilëve afrikano-amerikanin e parë që mban këtë titull të lartë.

Kardinalët u emëruan në një ceremoni, në të cilën morën pjesë më pak njerëz se zakonisht  për shkak të pandemisë COVID-19.

Reuters shkruan se në vend të mijërave njerëzve që mblidhen zakonisht, vetëm 10 mysafirë u lejuan në Bazilikën e Shën Pjetrit ndërsa papa u jepte burrave unazën e tyre dhe kapelën e kuqe tradicionale, të njohur si Bireta.

Nëntë nga 13 kardinalët e rinj janë nën moshën 80-vjeçare dhe kanë të drejtë sipas ligjit të Kishës për të hyrë në një konklavë të fshehtë për të zgjedhur papën tjetër mes tyre, nëse papa Francesku vdes ose jep dorëheqjen.

Që nga zgjedhja e tij në vitin 2013, Papa Françesku ka emëruar 57% të 128 të zgjedhurve kardinalë, shumica e të cilëve ndajnë vizionin e tij për një Kishë më përfshirëse.

Deri më tani, ai ka emëruar 18 kardinalë nga vende të largëta që kurrë nuk kishin një kardinal.

E të shtunën, Brunei dhe Ruanda morën kardinalët e tyre të parë.

Ndërsa Evropa ka ende pjesën më të madhe të kardinalëve, me 41%. Megjithatë kjo përqindje është ulur që nga viti 2013, nga 52% që ishte kur Françesku u bë papa i parë Latino-Amerikan.

Wilton Gregory, kryepeshkopi 72-vjeçar nga kryeqyteti i SHBA Uashingtoni bëhet kardinali i parë afrikano-amerikan në një kohë që Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë marrëdhëniet mes racave pas një numri vrasjesh në duart e policisë të afrikano-amerikanëve të paarmatosur.

Wilton Gregory mbushi faqet e para të shtypit në qershor kur kritikoi vizitën e Presidentit Donald Trump në një kishë katolike në Uashington, pasi policia dhe ushtria përdorën gaz lotësjellës e plumba gome për të pastruar rrugën nga protestuesit në mënyrë që zoti Trump të shkonte atje për një fotografi para një kishe historike me një bibël në dorë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *