Kryeministri i vendit Edi Rama ka publikuar sot pamjet nga Shërbimi Kombëtar i Urgjencës Kombëtare.
Në video dëgjohet një thirrje për ndihmë për të asistuar një grua të moshuar në banesë, e cila po merrte mjekime për Covidin.
Në banesën e të moshuarës shkon vetë kreu i Urgjencës, Skënder Brataj, i cili jep edhe një intervistë për gazetarin e ERTV-së.
“…dhe vetëm ta mendosh se çfarë do të kishte hequr ky popull, sikur largqoftë Armiku i Padukshëm të na kishte gjetur me autoambulancat rrangalle e me linjat fikse të telefonave të zinj të kohës së qepës, që ishin të vetmet mjete të urgjencës deri 7 vjet më parë, të rrëqethet mishi!
RESPEKT për ekipin fantastik të Urgjencës Kombëtare që në këtë kohë të mallkuar i gjendet pranë popullit 24 orë papushim dhe ka shpëtuar mijëra jetë, nën trysninë e dyfishtë të ofensivës së virusit vrastar e të baltës lehëse të atyre që luftojnë kundër nesh, teksa ne luftojmë me mish e me shpirt me Armikun e Padukshë”, shkruan Rama krahas videos.
Në video, kreu i Urgjencës Kombëtare, foli për procesin e menaxhimit të pandemisë COVID-19, si dhe iu përgjigj akuzave të opozitës për mungesë të theksuar të kapacieteve spitalore.
Ai tha se nëse do përballeshin me një ezaurim të kapaciteteve spitalore, do t’i trajtonin pacientët në stadiume e në hotele.
“Jo nuk është ezaurimi, sepse kur na rastis një numër i madh ne mundohemi që t’i shpërndajmë në spitalet COVID. Nuk jemi në atë pikë.
Jemi akoma në skenarin 3, pra të COVID 3, do hapet katra, do hapen spitalet rajonale me skenarë të ndryshëm. Kur t’i mbushim të gjitha do t’i trajtojmë edhe në ambulancë, edhe në banesë edhe nëpër korridore, hotele, stadiume, siç po bën e gjithë bota. Qytetarët do të asistohen në çdo lloj mënyre, qëllimet e tjera në këtë moment, jashtë aspektit shëndetësor duhet vetëm të heshtin.”– deklaroi Brataj.