Në farmacitë e Tiranës aktualisht ka mungesë termometrash, nga ato të thjeshtit me çmim 100-150 lekë, teksa gjenden më vështirësi disa të tjerë “luksozë” me zhivë ekologjike për që kushtojnë mbi 900-1100 lekë, ose dhe ata elektronikë që kushtojnë minimalisht 1,500 lekë.
“Monitor” bëri një vëzhgim së fundi në shumë farmaci në kryeqytet dhe në asnjë prej tyre nuk mund të gjendej termometër i zakonshëm, nga ato me zhivë, që përpara pandemisë kushtonin në farmaci vetëm 100 lekë.
Mungesa e termometrave dhe rritja e çmimit vjen si vështirësi shtesë në kulmin e pandemisë, kur trajtimi dhe parapërgatitja nis pikërisht me to. Farmacistët në Tiranë në shumicën e pikave të shitjes pohuan se stoku i furnizimeve ka disa ditë që ka përfunduar, për shkak të kërkesës së lartë nga pandemia, ndërkohë që nuk ka sinjale për furnizime të reja.
Në ndonjë farmaci janë vetëm disa lloje të shtrenjta termometrash me kosto gati 10 herë më të lartë se i zakonshmi që përdorej masivisht deri më tani.
Farmacistët e lidhin mungesën e termometrave me dy arsye. E para për shkak të kërkesës së lartë që ka krijuar pandemia Covid-19 për produkte farmaceutike që bëri të mbaronin rezervat dhe së dyti për disa standarde të reja që aplikohen nga BE-ja për importin e termometrave nga Kina.
BE ka ndaluar importin e termometrit të zakonshëm me zhivë për shkak të rrezikshmërisë për shëndetin. Shqipëria po aplikon këtë standard dhe kjo ka bërë që importet e termometrit nga Kina të mos lejohen.
Kjo masë ka sjellë hendek në treg, pasi grosistet janë gjendur të parapërgatitur për të plotësuar kërkesën e lartë që erdhi nga pandemia. Në këtë situatë kanë nisur edhe abuzimit me çmimet. Një termometër me zhivë ekologjike që plotëson standardin kushton duke filluar nga 900 lekë në shitjet me pakicë në farmaci, ndërsa burime nga depot farmaceutike thanë se çmimi me shumicë i tyre është rreth 300 lekë.
Por jo të gjitha farmacitë po ofrojnë termometra me zhive ekologjike. Në të shumtën e rasteve nuk kanë asnjë lloj termometri, për shkak se termometrat e rinj ekologjike nuk preferohen nga qytetarët për shkak të çmimit të lartë, ndërsa ata ishin mësuar që kosto e tij nuk i kalonte 150 lekë.
Në këto ditë të vështirë ku shumë të sëmurë e kanë të pamundur të bëjnë lëvizje të gjata gjetja e një termometri është sfidë përveç kostove të larta.
Intensifikimi i pandemisë me shtimin e numrit te të infektuarve ka rritur kërkesën për produkte farmaceutike. Në muajin tetor importet e produkteve farmaceutike u rriten me 40 për qind në raport me muajin tetor të një viti më parë.
Konsumi i medikamenteve dhe pajisjeve të tjera që lidhen me pandeminë ka pësuar rritje jo të zakontë, të tilla si vitaminat, suplementet, antibiotikët dhe pajisje të tjera mjekësore për laboratorët dhe radiologji për ekzaminime.
VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Monitor.al