Pacienti që i dha fund jetës herët këtë të hënë duke u hedhur nga spitali Covid 2 kishte dy ditë që po kurohej në këtë spital.
Gjendja e 60-vjeçarit Leonard Skabona nga Rrësheni sipas televizionit “News 24” ishte e rënduar. Ai ndodhej në terapi intesive dhe kishte edhe sëmundje të tjera bashkëshoqëruese.
Mësohet se 60-vjeç është hedhur rreth orës 00:30 nga dritarja e dhomës së tij. Ai e ka ndërmarrë aktin tragjik në momentin kur mjekët ndërronin turnin dhe numri i tyre ishte i reduktuar.
Pas ngjarjes së rëndë, policia ka sekuestruar kartelën mjekësore të pacientit dhe ka marrë në pyetje mjekët e turnit për të zbardhur ngjarjen.
Ky është rasti i pestë që një pacient hidhet nga spitalet e Covid brenda një qarku kohor prej 4 muajsh.
Katër nga këta raste kanë ndodhur në spitalin “Shefqet Ndroqi” dhe një në Spitalin Infektiv.
Rasti i parë
Rasti i parë ndodhi më 13 gusht, kur një i ri në gjendje të rënduar psikologjike u hodh nga ky spital dhe fatkeqësisht ndërroi jetë. 29-vjeçari Xhino Koça ishte shtruar pasi ishte infektuar me koronavirus.
Xhino vinte nga një familje mjaft e njohur në Durrës. Ai ishte djali stilistes së VIP-ave, Lira Koça dhe kryetarit të Njësisë Administrative nr.2, Leonard Koça, si dhe nipi i humoristit të njohur Roland Koçës.
Ditë pas vdekjes së tij, mikesha e të riut Ingrid Kau tregonte se ndryshe nga sa u përshkrua Xhino Koça nga mediat, ai ishte mjaft miqësor dhe aspak i mbyllur në vetvete.
Por në ditët e tij të fundit kishte nisur të tregonte një sjellje më të distancuar me miqtë e tij për shkak të frikës dhe ankthit që e kishte kapluar në spital.
Rasti i dytë
Rasti i dytë ishte Hasan Mira, 65 vjeç, i cili më 2 shtator u hodh nga spitali “Shefqet Ndroqi” ku gjithashtu ishte shtruar me koronavirus.
Vetëvrasja e Mirës zbuloi se spitalet ku trajtohen të sëmurët me Covid, nuk e lejojnë përdorimin e telefonit celular nga pacientët, pasi ai vetë e përdorte celularin fshehtas pasi kishte paguar para për ta futur brenda.
Viktima i cili ishte vjehrri i deputetit Gjetan Gjetani, në një bisedë me mesazhe me fqinjin e tij, shprehej i tronditur nga ajo që ka parë në këtë spital. Por ai nuk e specifikonte se çfarë kishte parë.
Ai shprehej se nuk do të ishte shtruar kurrë nëse do ta dinte se çfarë ndodhte aty.
“Po ta dija se çfarë bëhet në spital, nuk do kisha ardh me u shtru… Shyqyr që jam mirë e mos ardhsha më në këtë vend. Po e mbyll telefonin se e mora për 5 minuta, nuk ma lënë më, më rri një person më vëzhgon te koka tani që po flas.” – i thoshte ai fqinjit.
Rasti i tretë
52-vjeçari Preng Gjonaj ishte prej gati një jave i shtruar në këtë spital, pasi gjendja e tij shëndetësore ishte rënduar për shkak të COVID-19.
Pacienti nga Tropoja nuk duroi dot më dhe u hodh nga dritarja e dhomës së tij në katin e katërt.
Në këtë repart shtrohen pacientët rëndë. Dyshohet se vetëvrasja është kryer në kushte të rënduara psikologjike për shkak të koronavirusit, ndërkohë që Gjoni më parë nuk ka vuajtur nga probleme të shëndetit mendor.
Rasti i katërt
Ky rast ndodhi jo tek spitali “Shefqet Ndroqi”, por tek Spitali Infektiv. Pacienti 69-vjeçar i infektuar me Covid, Reshat Grembi u hodh nga dritarja e ballkonit të tij më 10 nëntor.
Ai u nda nga jeta mëngjesin e ditës tjetër. Vajza e Mirës ka akuzuar mjekët se nuk i kanë ardhur në kohë në ndihmë, duke zbuluar se i ati edhe pse ishte dërguar me urgjencë nga Fieri tek Infektivi në mesnatën e 8-9 nëntorit, ai ka pritur në autoambulancë deri në orën 8 të mëngjesit të së hënës, ka pritur për orë me radhë në korridoret e spitalit e vetëm në orën 18:00 ka marrë mjekim.
Këto raste kanë ngritur shqetësime mbi atë çfarë ndodh brenda spitaleve të Covid-it, veçanërisht tek “Shefqet Ndroqi”, pasi të gjitha rastet janë regjistruar në këtë spital.
Opozita vazhdimisht u ka kërkuar autoriteteve që të impenjohen seriozisht dhe të kenë një plan konkret për të trajtuar rëndimin e gjendjes psikologjike për shkak të izolimit. Po ashtu vazhdimisht ka denoncuar se asnjëri nga dy spitalet e Covidit nuk ka psikolog, gjë e cila është mohuar nga qeveria.