Spitali “Shefqet Ndroqi” ka reaguar pas ngjarjes së rëndë që ndodhi herët këtë të hënë, kur një pacient 60-vjeçar me Covid-19 i dha fund jetës, duke u hedhur nga lartësia e spitalit.
Stafi i spitalit Covid 2 në reagimin zyrtar, thotë se 60-vjeçari Leonard Skabona kishte dy ditë që ishte shtruar në spital.
Skabona ishte hedhur nga kati i parë i spitalit dhe jo nga kati i tretë siç është raportuar në medie. Në reagimin zyrtar, thuhet se organet kompetente kanë nisur hetimet mbi ngjarjen de rëndë ndërsa sigurohet publiku se spitali Covid 2 ka angazhuar psikologë dhe ka shtuar masat e sigurisë.
Reagimi i spitalit:
Stafi i spitalit universitar “Shefqet Ndroqi” shpreh dhimbjen për humbjen e jetës së 60-vjeçarit me inicialet L.Sh., nga Kurbini i cili i dha fund jetës mbrëmë pas mesnate, dhe i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së tij.
60-vjeçari i konfirmuar me COVID-19, ishte shtruar pasditen e datës 28 nëntor në spitalin “Shefqet Ndroqi”, ku iu kryen ekzaminimet imazherike dhe u trajtua me terapinë e plotë të mjekimit në pavionin e urgjencës.
Më datë 29 pacienti është transferuar në pavionin e katit të parë (mbi katin përdhes) ku edhe ka kryer aktin e rëndë.
Lidhur me arsyet që e çuan 60-vjeçarin drejt këtij akti ekstrem, është duke u kryer hetimi nga ana e organeve kompetente.
Stafi i spitalit universitar “Shefqet Ndroqi” ka siguruar shërbimin e psikologut dhe ka shtuar masat e sigurisë.
Stafi mjekësor është në gatishmëri të plotë dhe i sigurojmë qytetarët se po punojmë dhe do të vazhdojmë të punojmë me përkushtim dhe profesionalizëm për çdo pacient që trajtohen në spitalin tonë.