Vendosni fjalën kyçe....

Lleshaj u kërkoi deputetëve rrëzimin e dekretit të Metës: Policia në shërbim të publikut e jo partive politike


Komisioni i Sigurisë rrëzoi sot dekretin e presidentit Meta për Ligjin e Policisë së Shtetit. Në fjalën e tij, ministri i Brendshëm Lleshaj theksoi se dekreti i Metës ka paqëndrueshmë arsyetimesh duke u bërë thirrje depputetëve që ta rrëzojnë ligjin.

Sipas tij, Policia e Shtetit ka nevojë për atribute e kompetenca shtesë, pasi ndryshimet janë të stadit fillestar, krahasuar me ato të policive europiane.

Gjatë paraqitjes së argumenteve, Lleshaj, tha se argumentet e presidentit janë studiuar por në dekretin e tij shihet përpjekja e kreut të shtetit për të legjitimuar një konkluzion politik absurd që qeveria është kërcënim për liritë dhe të drejtat e qytetarëve, ndaj organet e varësisë së saj nuk duhet të kenë kompetenca ligjore.

Më tej ministri tha se ndryshimi i ndërmarrë nga qeveria është në përputhje dhe në vijim të urdhërimeve të Kodit të Procedurës Penale, për të rregulluar mbikëqyrjen e veçantë parandaluese me një ligj të veçantë. Dhe ligj i veçantë është pikërisht kjo ndërhyrje që bëhet tani.

“Thelbi i rregullimit të veçantë konsiston në faktin që Policisë së Shtetit i është dhënë autorizimi për të kryer mbikëqyrje të veçantë vizuale, jo zanore, në mjedise publike, në kuadër të veprimtarisë së saj për parandalimin e kryerjes së veprave penale. Në zbatim e Kodit të Procedurës, rezultatet e kësaj veprimtarie nuk mund të përdoren si provë. Ato shërbejnë vetëm për parandalimin e veprave penale. Kontrolli të cilit i nënshtrohet policia gjatë këtij procesi, qëndron në faktin që: Së pari, kushtet, rregullat, procedurat dhe afatet që do të zbatohen për mbikëqyrjen e veçantë përcaktohen në një udhëzim të përbashkët nga ministri i Brendshëm, Prokurori i Përgjithshëm dhe drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Pra janë 3 autoritete që hartojnë rregullat, procedurat, standardet, afatet. Së dyti, ministri përgjegjës për Rendin dhe Sigurinë Publike, Prokurori i Përgjithshëm, drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, kontrollojnë në çdo kohë zbatimin e rregullave dhe procedurave.” – tha Lleshaj.

Ai shtoi më tej se policia ka tre autoritete kontrolli për zbatimin e ligjit dhe mbikëqyrjen e zbatimit të tij duke shtuar se atributet që i jepen policisë në kuadër të këtij ligji janë elementare nëse krahasohen me ato që kanë policisë europiane në kuadër të parandalimit të krimit e terrorit.

“Janë tre autoritet kontrolli, MB përmes SHÇBA-së që është një strukturë ligjore, mbikëqyr funksionimin ligjor të Policisë së Shtetit, Prokuroria e Përgjithshme dhe SPAK, duke e bërë në fakt  “zero” argumentimin e Presidentit, se nuk ka kontroll mbi policinë për këtë atribut të dhënë.

Aludimet e Presidentit të Republikës për shantazh policor apo përdorim të të dhënave janë thjesht produkt i fantazisë. Atributet që i jepen Policisë së Shtetit në kuadër të këtij ligji janë elementare, krahasuar me ato që kanë policitë europiane në kuadër të parandalimit të krimit dhe terrorit.

Ne duhet të ndërmarrim hapa të mëtejshëm ligjorë për dhënien e autorizimeve të reja për policinë, si ato për përcaktimin e identitetit dhe vendndodhjes së mbajtësve të telefonave celularë dhe për qasje ligjore ndaj përmbajtjes së komunikimit përmes platformave të ndryshme elektronike të shkëmbimit të mesazheve, nëse duam të zbatojmë standarde të natyrshme për policitë e tjera europiane.”  -shtoi ministri.

Në fund ministri Lleshaj tha se policia nuk mund të keqpërdorë një detyrë të dhënë nga ligji ndaj kundërshtarëve politikë. Ai tha se policia është institucion në shërbim të publikut e jo të partive politike.

“Pra, sipas kësaj logjike meqë Policia paska një detyrë të dhënë nga ligji, ajo mund ta keqpërdorë atë ndaj kundërshtarëve politikë! Është vendi këtu për ta refuzuar si të papranueshëm dhe të padenjë aludimin presidencial se policia qenka një instrument i qeverisë kundër kundërshtarëve të saj politikë. Jo! Policia është një institucion në shërbim të publikut dhe jo të partive politike. Kjo gjë garantohet nga ligji dhe provohet nga praktika e përditshme, ku angazhimi politik i policisë në mbështetje të një force politike dhe kundër një tjetre, deri tani ka mbetur në nivel insinuatash politike të paprovuara ndonjëherë. Policia e Shtetit dhe punonjësit e saj nuk konkurrojnë në zgjedhjet politike dhe nuk ka asnjë lloj interesi për t’u bërë palë në këtë proces. Por mbi të gjitha çdo përfshirje eventuale e elementëve, apo e punonjësve të caktuar të policisë si palë në procese zgjedhore, ndalohet dhe penalizohet nga një sërë dispozitash ligjore në fuqi.” – vijoi Lleshaj.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *