Detaje të reja janë zbuluar nga atentati me armë zjarri që u bë pasditen e djeshme ndaj biznesmenit të njohur në Lezhë, Aleksandër Deda.
Policia ka shoqëruar disa persona, që dyshohet se mund të kenë dijeni për ngjarjen, ndërsa pritet dëshmia e të plagosurit.
Alkesandër Deda i njohur edhe me nofkën “Leksi i druve” është përballur me një breshëri plumbash që vinin nga një automjet tip “Audi”, ndërsa ai udhëtonte me makinë.
Ashtu i plagosur, ai ka marrë rrugën drejt Spitalit të Lezhës kur një automjet tjetër i është vënë në ndjekje. Sipas “Balkanweb”, Deda ndërkohë ka bërë disa telefonata me të afërm të tij, duke iu treguar se çfarë i kishte ndodhur.
Me plagë në trup ai ka mundur të përshkojë distancën afro 15 km deri afër spitalit, ku edhe ka humbur sasi të madhe gjaku.
Pas mjekimit që ka marrë nga bluzat e bardha të Lezhës, ai është dërguar menjëherë për në Spitalin e Traumës, ku edhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, autorët janë larguar me një mjet tip “Audi”, i vjedhur në Lushnjë, ndërsa targat AA481GU janë denoncuar të vjedhura në Lezhë. Mjeti është gjetur i djegur nga policia në fshatin Pllanë. Gjatë kontrollit është sekuestruar një armë automatik Mod. 56, dhe në afërsi të mjetit një aparat celular tipi “Nokia”.