Ditën e sotme përfundon zbatimi i kufizimeve për ndalim qarkullimi të qytetarëve gjatë orëve të natës. Kështu sot do të mblidhet Komiteti Teknik i Ekspertëve që do të bëjë vlerësimin e situatës për të marrë masat e reja.
Ditën e djeshme në një intervistë, shefja e epidemiologjisë në ISHP, Silva Bino tha: “Komiteti do të mblidhet nesër dhe do të diskutojmë me ato të dhëna që kemi marrë”.
Ajo theksoi rëndësinë e mbajtjes së maskave.
“Ne i dijmë rrugët e transmetimit të infeksionit. Nëse nuk e dinim në fillim, tani e dijmë që jo vetëm përmes spërklave mund të infektosh dikë, por edhe kur flet pasi virusi qëndron në ajër.
Rruga kryesore është ajo ajrore. Këto janë disa elementë të rëndësishëm. Vendet kryesore të infektimit janë vendet e mbyllura, zyrat, baret, restorantet. Maska jo vetëm mbron veten, por edhe atë që ka përballë”.- tha Bino.
Kujtojmë se masat që ndalojnë qarkullimin pas orës 22:00 në mbrëmje deri në 06:00 të mëngjesit u vendosën më 11 nëntor. Komiteti gjithashtu rekomandoi për administratën publike punën nga shtëpia, ndërsa janë ndaluar grumbullimet e më shumë se 10 personave, me përjashtim të Kuvendit.
Mirëpo numri i vdekjeve dhe i rasteve të reja në vend ka qenë mjaft i lartë. Vetëm ditën e djeshme u raportuan 832 raste të reja me Covid-19 dhe 12 viktima.