Një çift australian, fëmija i të cilit u raportua se u mor nga autoritetet shtetërore po apelon vendimin e gjykatës që firmosi vendimin. Sipas gjykatës, prindërit janë abuzivë dhe të rrezikshëm për faktin se nuk po lejojnë terapinë e testosteronit për vajzën e tyre, e cila identifikohet si mashkull.
Avokatët e prindërve të paidentifikuar paraqitën padinë javën e kaluar duke kërkuar të apelojnë vendimin e gjykatës të marrë në tetor.
Ata thonë se është e drejta e tyre si prindër të vendosin lidhur me mjekimin e disforisë gjinore së pretenduar, njoftoi të shtunën një gazetë australiane, shkruan RT. Fëmija i tyre, atëherë 15 vjeç, u mor nga familja vitin e kaluar, pasi diskutoi vetëvrasjen në internet.
“Autoritetet thonë se ne nuk do ta lejojmë atë të ndryshojë gjininë dhe sipas tyre ne jemi të rrezikshëm. Autoritetet i kanë thënë asaj të mos kthehet në shtëpi pasi ne do abuzojmë psikologjikisht me të.” – tha babai i 15-vjeçares.
“Ata duan që ne të pajtohemi për trajtimin e testosteronit.” – shtoi ai.
Prindërit kërkojnë një rishikim të pavarur psikologjik të të gjitha shkaqeve të mundshme të depresionit të fëmijës së tyre, si dhe shqyrtimin e mundësive të trajtimit jo-invaziv.
Familja emigroi në Australi një dekadë më parë, tha gazeta, pa identifikuar vendin e tyre të lindjes. Gjykatësi zbuloi se adoleshentja ka të ngjarë të pësonte abuzim verbal për ‘ndjenjat e saj dhe shprehjen e identitetit gjinor, gjë të clën prindërit sipas gjykatësit, e kanë kundërshtuar.
“Ne nuk kemi asnjë të drejtë. Fëmijët tanë mund të dëmtohen seriozisht nga qeveria dhe mjekët dhe ne jemi të pafuqishëm për ta ndaluar atë.” – thanë prindërit.
Ndërsa debati për trajtimin e disforisë gjinore ëështë i nxehtë në Australi, disa shtete në SHBA po krijojnë kornizën ligjore për të përjashtuar prindërit nga vendimmarrja e fëmijëve të tyre për të marrë trajtime të tilla si terapi hormonale dhe operacione të ndryshimit të seksit pa pëlqimin e prindërve.
Duke filluar nga ky vit, fëmijëve të moshës 13 vjeç në shtetin Uashington u është lejuar të marrin trajtim konfidencial për disforinë gjinore, faturuar në planin e sigurimit të prindërve të tyre dhe të bërë pa pëlqimin e prindërve.
Përgatiti për Hashtag.al, K.Manjani