Vendosni fjalën kyçe....

Basha takim me të rinjtë e Kukësit: Prioriteti im punësimi juaj e frenimi i largimit të shqiptarëve


Kreu i Partisë Demokratike ka zhvilluar një takim me të rinjtë e Kukësit.

Siç shkruan Basha lidhur me takimin, aty është diskutuar për një nga problemet më të rënda me të cilat përballet Kukësi e vendi siç është largimi i brezit të ri.

Sipas Bashës, kryeministri Rama mbylli filialin e Universitetit të Tiranës në qytetin verior duke u pamundësuar shumë të rinjve që të mbeten pas shkuar në universitet.

“Rinia kuksiane është lënë në harresë prej shtatë vitesh nga Edi Rama. Gjatë një bisede me të rinj kuksianë, u ndalëm tek një nga problemet më të rënda të Kukësit sot, largimin e brezit të ri. Gjendja ekonomike, pamundësia për të vazhduar studimet universitare dhe papunësia, i kanë detyruar shumë të rinj të largohen nga vendi. Rama i preu në besë studentët e kësaj treve, duke mbyllur filialin e Universitetit të Tiranës. Shumë prej të rinjve nuk e vazhdojnë dot shkollën e lartë, pasi e kanë të pamundur ta përballojnë koston e studimeve dhe jetesës në Tiranë. Është e pafalshme që këta të rinj nuk kanë mundësi të shkollohen dhe të punësohen.” – shkruan Basha.

Më tej kryedemokrati thekson zona i ka të gjitha për t’u mundësuar banorëve një jetë më të mirë si dhe punësim për të rinjtë duke premtuar se qeverisja e PD-së do e ketë këtë një prioritet kryesor.

“Kjo trevë i ka të gjitha, burimet njerëzore, natyrore, infrastrukturën dhe energjinë për t’i mundësuar një jetë të mirë banorëve të saj dhe për të ofruar mundësi punësimi për të rinjtë. Shqipëria është e bekuar me një rini të mrekullueshme, e cila shkëlqen kudo në botë ku i jepet mundësia të studiojë apo të punojë. Detyra jonë është t’i krijojmë asaj këto mundësi në Shqipëri. Ky për mua është prioriteti kryesor.” – shtoi Basha.

Në fund Basha shkruan se qeveria e tij do mundësojë 10 mijë praktika pune për studentët si dhe do investojë në tregun e punës. Kryedemokrati tha se bashkë me të rinjtë, PD-ja do ndyrshojë fatin e vendit.

“Ne do t’u krijojmë studentëve mundësinë për 10 mijë praktika pune 1-vjeçare të paguara nga shteti. Do të investojmë në lidhjen e arsimimit me tregun e punës dhe sipërmarrjen. Përparësi e veçantë në qeverisjen e ardhshme është mbështetja financiare nëpërmjet stimujve fiskal e sipërmarrjeve të të rinjve si dhe e bizneseve që ofrojnë vende pune me paga dinjitoze për të rinjtë. Bashkë me të rinjtë, ne do ta ndryshojmë fatin e vendit dhe do ta kthejmë Shqipërinë në vendin e mundësive për çdo të ri dhe të re shqiptare.”


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *