Ministria e Drejtësisë ka propozuar shfuqizimin e gjashtë veprave penale, që janë pjesë e Kodit Penal të Shqipërisë tani për tani.
Sipas draftit të propozuar, vepra penale e vetëgjyqësisë do hiqet me argumentin se është i mjaftueshëm trajtimi i saj civilisht.
Në Kodin Penal të tanishëm, kjo vepër dënohet me 3 muaj burg, shkruan Shqiptarja. Po kështu është propozuar heqja e veprës penale të plagosjes së lehtë nga pakujdesia, e cila dënohej me gjobë.
Tjetër vepër penale që për të cilën është propozuar shfuqizimi është edhe ajo e mbajtjes pa të drejtë të uniforms, vepër që me Kodin Penal në fuqi dënohet deri në 5 vite burg.
Organizimi e pjesëmarrja në tubime të paligjshme pritet të hiqet si vepër penale dhe të qëndrojë si e tillë vetëm në rastet kur persona të armatosur marrin pjesë në të. Propozimi në fjalë do të thotë se kushdo mund të protestojë pa marrë leje më herët.
“Organizimi i grumbullimeve dhe manifestimeve të paligjshme me pjesëmarrje të personave të armatosur dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet. Pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme e personave të armatosur përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit.” – thuhet në draft.
Dy veprat e fundit për të cilat është propozuar heqja e tyre si vepra penale janë ushtrimi i profesionit të ekspertit kontabël dhe i shoqërisë audituese pa qenë i regjistruar si dhe organizimi dhe vënia në funksionim e skemave mashtruese dhe piramidale të huamarrjes, pasi kjo vepër penale përfshihet nga nene të tjera të Kodit Penal.