Joe Biden thotë se amerikanët nuk do të detyrohen të bëjnë vaksinën kundër koronavirusit, kur të bëhet e disponueshme në SHBA.
Kjo deklaratë vjen në një kohë kur Qendrat për Kontrollin e Sëmundjeve (CDC) për herë të parë nxitën “përdorimin e maskës në të gjitha ambientet e mbyllura” përveçse në shtëpi.
CDC tha që SHBA-të “kishin hyrë në një fazë të transmetimit të nivelit të lartë” të virusit, shkruan BBC.
Biden i cili pritet të marrë detyrën më 20 janar, tha gjithashtu se ai priste që inaugurimi i tij të zhvillohej pa turma të mëdha për shkak të shqetësimeve të koronavirusit.
“Supozimi im është se do të ketë akoma një ceremoni platforme, por nuk e di se si do të funksionojë e gjitha.”– tha ai, citon BBC.
Cila është politika e Biden për vaksinat?
Duke folur në Delaware, presidenti i zgjedhur Joe Biden tha se nuk do të ishte e nevojshme të bëhej e detyrueshme vaksina e koronavirusit.
“Unë nuk mendoj se duhet të jetë e detyrueshme. Unë nuk do të kërkoja që të ishte e detyrueshme. Ashtu siç nuk mendoj se maskat duhet të bëhen të detyrueshme në të gjithë vendin.”- tha Biden, citon The Hill. Megjithatë ai shtoi se do t’i inkurajojë amerikanët të bëjnë gjënë e duhur.
“Unë do të bëj gjithçka që kam në dorë si president për të inkurajuar njerëzit të bëjnë gjënë e duhur dhe kur ta bëjnë, të demonstroj se ka rëndësi.”– shtoi ai.
Kompania “Pfizer”, e cila thotë se vaksina e saj është e efektshme në 95%, dhe kompania tjetër Moderna që thotë se vaksina e saj është 94% efektive, të dyja kanë aplikuar në Administratën e Ushqimit dhe Barnave për të shpërndarë dozat e tyre në SHBA.
Mbretëria e Bashkuar të mërkurën u bë vendi i parë në botë që miratoi vaksinën e “Pfizer”.
Më herët të premten, zv.presidenti amerikan Mike Pence tha se miratimi federal për një vaksinë Covid-19 mund të jetëlarg vetëm “një javë e gjysmë”.