Vendosni fjalën kyçe....

Kastriot Myftaraj: Pse SPAK duhet të sekuestrojë televizionin Klan


Gazetari Kastriot Myftaraj i ka bërë thirrje SPAK-ut që të sekuestrojë televizionin Klan në bazë të ligjit antimafia.

Po sipas këtij ligji, shkruan Myftaraj, subjekte të tij janë edhe ortakët e personave të hetuar ose të dënuar për trafiqe të ndryshme kriminale, duke përfshirë trafikun e armëve.

Në shkrimin e detajuar, gazetari tregon se faktet e dhëna prej tij, tregojnë se ortakëria e pronarit Aleksandër Frangaj, e bën këtë të fundit subjekt të ligjit atimafia.

Shkrimi i plotë i Myftarajt

Pse SPAK duhet të sekuestrojë Televizionin Klan të Aleksandër Frangajt, në bazë të ligjit antimafia

Sipas ligjit antimafia, subjekte të tij janë edhe ortakët e personave të hetuar, ose të dënuar për trafiqe të ndryshme kriminale, duke përfshirë edhe atë të armëve. Një ortakëri e tij e bën z. Aleksandër Frangaj, pronarin e Tv Klan subjekt të këtij ligji. Le të shohim faktet e mëposhtme:

Në nëntor të vitit 2005, biznesmeni francez që vepron në Shqipëri, Julien-Gerard Roche, në një letër të hapur e quajti publikisht Aleksandër Frangajn grabitës të pronës së tij, aksioneve të TV Klan, me ndihmën e pushtetit. Në këtë letër, Z. Roche tha se ai ishte sjellë ndaj Frangajt me një bujari që nuk gjendet te pronarët e mediave në Francë, duke i dhënë këtij gazetari 50% të aksioneve të televizionit, që me krijimin e tij.

Pse u tregua Z. Roche kaq “bujar”? Arsyeja ishte se Z. Roche kishte probleme me institucionet ligjzbatuese në vendin e vet për shkak të veprimtarisë së tij në vendet e Afrikës Qendrore, ish-koloni franceze. Z. Roche ishte dhe është një biznesmen që bashkëpunon ngushtë me shërbimet e fshehta franceze, civile dhe ushtarake. Ai ka kryer edhe tregti armësh për llogari të tyre.

Duke qenë se bëri një veprimtari të tillë në vende ku Franca zyrtarisht e ndalonte eksportin e armëve për shkak se atje kishte luftë civile, shteti francez e dënoi zyrtarisht veprimtarinë e Z. Roche dhe ky u shpall në kërkim nga Drejtësia franceze. Për këtë shkak ai nuk mundi të shkonte në Francë për një kohë shumë të gjatë. Edhe sot e kësaj dite ai banon në Durrës, dhe shkon shumë rrallë në Tiranë.

Se çfarë është në të vërtetë Z. Roche u zbulua në tetor 2015, në fjalimin që mbajti ambasadori francez i kohës në Shqipëri, Bernard Fitoussi, me rastin e dekorimit të Z. Roche nga Presidenti francez Holland me Urdhrin Kombëtar të Meritës, Kalorës i Legjionit të Nderit. Ceremonia, çuditërisht nuk u mbajt në Paris por në Tiranë, në prani të Kryeministrit Rama.

Në fjalimin e ambasadorit francez ka tre fragmente shumë interesante që zbulojnë të vërtetat e Z. Roche. Në fjalimin e tij, ambasadori francez tha ndër të tjera: “Më në fund Republika jonë po i shpreh mirënjohjen atij që i ka shërbyer kaq shumë në Shqipëri.”

Nëse është kështu përse Z. Roche nuk mund të shkonte në atdheun e vet që nga viti 1988 e deri në dekadën e dytë të shekullit XXI? Gjithsesi, merret vesh se Z. Roche, i cili gjendet në Shqipëri që prej vitit 1988, në cilësinë e biznesmenit privat, në fakt i paska shërbyer këtu shtetit francez, i cili pret prej tij shërbime të tjera të posaçme, për të cilat hidhet dritë në fjalët e mëposhtme të ambasadorit:

“Por nuk dua të përmend dy fusha që janë edhe sot: Industria e armatimit dhe prodhimi i energjisë hidroelektrike. Ju përfaqësoni këtu EADS-n, e cila është bërë Airbus Helicopters dhe furnizon aktualisht Ushtrinë Shqiptare me helikopterë. Shpresoj që së shpejti topat e markës ‘Narwahl’ dhe automjetet ‘Titus’ do të vijnë për të pajisur marinën dhe forcat tokësore të Shqipërisë.”

Shihet pra se z. Roche nuk ka hequr dorë nga veprimtaria që e bëri atë të rrijë larg Francës për dekada, duke gjetur strehë në Shqipëri. Ndonëse tashmë jo si një trafikant ndërkombëtar armësh, siç veproi në Afrikë, por si biznesmen që ndërmjetëson mes dy shteteve.

Z. Roche trembej se mos shteti shqiptar ishte i detyruar që të sekuestronte pasurinë e tij në Shqipëri, nëse nga Franca do të vinte një kërkesë e tillë, gjë që mund të ndodhte për shkak se shteti francez duhet të shfajësohej për veprimtarinë e Z. Roche në Afrikë. Për këtë arsye, qëkurse u themelua Tv Klan, në 1997, Z. Roche, i cili në fakt kishte 75% të aksioneve, vuri në emër të Frangajt 50% të aksioneve dhe vetë mbajti vetëm 25%.

Fragmenti i tretë interesant në fjalimin e ambasadorit francez është ky më poshtë:

“Julien nuk është kurrë plotësisht Julien. Së pari për gjendjen civile ai është Julien-Gerard. Fatmirësisht që Kancelaria e lartë e Legjionit të Nderit e kishte vënë re këtë gjë.”

Z. Roche, gjatë qëndrimit në Shqipëri nuk donte të njihej si Julien-Gerard, por thjesht si Julien. Arsyeja ishte se ai donte të bënte të besohej se nuk kishte lidhje me Z. Julien-Gerard Roche që nuk shkelte dot në Francë dhe se ishte Z. Julien Roche. Aq kishte mundur ta përhapte këtë legjendë për veten saqë edhe shteti francez e kishte “harruar” emrin e tij të plotë, duke nisur që nga njerëzit e shërbimeve të fshehta franceze në ambasadën e Tiranës, të cilët kishin për detyrë të vinin në dijeni zyrat përkatëse për gjëra të tilla.

Statusi ligjor i Z. Roche në Shqipëri do të rregullohej vetëm në vitin 2013, pas 25 viteve qëndrim në vendin tonë. Në 21 maj 2013 me dekret të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Z. Roche iu dha shtetësia shqiptare. E tepërt të thuhet, Z. Roche, ndonëse në 2013 ishte rezidenti i huaj më i vjetër në Shqipëri me leje qëndrimi, e mori kaq vonë shtetësinë shqiptare për shkak të problemeve që kishte me autoritetet ligjzbatuese në Francë.

Por le të kthehemi pas, më herët në të shkuarën për të parë historinë e marrëdhënieve të Z. Roche dhe Frangajt,  si ortakë të Tv Klan.

Në shkurt 1997 u themelua shoqëria “Media 6” sh.p.k Ortakët ishin: Aleksandër Frangaj 50%, Julien Roche 25%, Marsel Skendo 25%. Objekt i veprimtarisë së shoqërisë është botimi i gazetave, revistave, librave dhe mediat elektronike. Veprimtaria kryesore e shoqërisë ishte Tv Klan. Administrator i shoqërisë ishte Aleksandër Frangaj. Përpara gjykatës së Tiranës Frangaj u deklarua si banues në Lezhë.

Sipas auditimit financiar për vitet 1998- 1999, ortakët kishin investuar në veprimtaritë e shoqërisë 11, 634, 157 lekë të rinj, të cilët ua kishte si detyrim shoqëria. Fitimi për vitet 1998-1999 ishte 710, 937 lekë.

Në vitin 2000 shoqëria ndryshon statusin, nga sh.p.k. në anonime. Me ndryshimet ligjore në vend tashmë duheshin pasqyruar shpenzimet për investime në rritjen e kapitalit të shoqërisë. Kapitali përbëhej tërësisht nga pajisje.

Sipas aktit të auditimit financiar të 25 majit 2000, nga tërësia e faturave të shpenzimeve të paraqitura nga shoqëria, doli një pasqyrë përmbledhëse sipas së cilës ishin kryer investime në masën 1,224,250 dollarë amerikanë, ose 171, 616, 013 lekë të rinj. Norma e amortizimit llogaritet 25%.

Me një llogari të thjeshtë del se Z. Frangaj, duke pasur 50% të aksioneve, duhet të kishte nxjerrë nga xhepi i tij gjysmën e kësaj shume, pra 612 mijë dollarë. A i kishte vërtet Frangaj këto para? Në 1996 ai kishte marrë 135 mijë dollarë nga Nikollë Lesi, si cmim për dorëzimin e 50% të aksioneve që kishte te gazeta “Koha Jonë”.

Një pjesë të këtyre parave i kishte shpenzuar për të blerë shtëpi në Tiranë, një automjet personal, si dhe për jetesë, të cilën e bënte luksoze së bashku me familjen. Sipas auditimit të përmendur më lart, Frangaj kishte përfituar gjysmën e fitimit të shoqërisë për vitet 1998-99, pra shumën 355 mijë lekë të rinj. Investimet ishin bërë vërtet dhe jo në letër, sepse “Klan” ishte bërë televizioni më i madh privat në vend.

Merret vesh që pjesën e investimeve që i takonte Frangajt e kishte bërë Z. Roche në emër të tij. Pra z. Frangaj shërbente thjesht si presta nome, emër i huazuar siç thuhet në zhargonin kriminal italian.

Në mars 2000 Asambleja e Ortakëve të shoqërisë vendosi që të ndryshonin kuotat e aksionerëve duke pasur këtej e tutje secili nga të tre ortakët nga 33.33% të aksioneve. Kjo do të thoshte se Frangaj dorëzoi 16.67% të aksioneve të tij. Nuk thuhet që u bë ndonjë akt-shitjeje, thjesht i dorëzoi ato.

Gjithashtu, në këtë kohë Asambleja e Ortakëve të shoqërisë vendosi rritjen e kapitalit themeltar në 12 milionë lekë të rinj. Shlyerja e shumës përkatëse u bë menjëherë nga secili ortak në masën 3,975,000 lekë. Ku i gjeti Frangaj këto para. Kuptohet se ishin të Z. Roche.

Dy muaj më vonë, në 31 maj 2000 Asambleja e Ortakëve vendos rritjen e kapitalit nga 12 milionë në 180 milionë lekë të rinj, pra me 168 milionë lekë. Secili nga tre ortakët mori 56 mijë aksione me vlerë 56 milionë lekë. Tashmë secili ortak zotëronte 33.33% të aksioneve, me vlerë 60 milionë lekë. Rritja e kapitalit u kontribuan në natyrë nga secili ortak. Me çfarë kontribuoi Frangaj dhe cili ishte burimi?

Në ndërkohë, në prill 2000 u krijua shoqëria e re “Media 5” sh.p.k., me ortakë: Julien Roche 41.5%, Marsel Skëndaj 41.5%, Aleksandër Frangaj 17%.

Gjithashtu, në maj 2001 u krijua shoqëria “Media 7”, sh.a., me aksionerë: Julien Roche 38.5%, Marsel Skëndaj 38.5%, Aleksandër Frangaj 23%.

Ku i gjente paratë Sandri për të paguar pjesën e vet në këto shoqëri të reja? Kuptohet se vazhdonte të shërbente si presta nome.

Kur Sali Berisha erdhi në pushtet në 2005, Frangaj i cili i kishte shërbyer Berishës në vitet e tij të fundit në opozitë, kërkoi ndihmën e tij për të grabitur me dorën e shtetit aksionet e ortakëve të tij në Tv Klan. Dhe Berisha e ndihmoi për këtë gjë. Në dhjetor 2005 Frangaj iu drejtua Gjykatës së Tiranës me një kërkesë për masë sigurie ndaj Shoqërisë Media 6 dhe më pas me një padi kundër dy ortakëve të tij Julien Roche dhe Marsel Skëndo.

Frangaj pretendonte se nuk kishte ndodhur efektivisht shlyerja në para, sipas vendimeve për rritjen e kapitalit të prillit 2000 dhe majit 2000. Pra Sandri, në cilësinë e administratorit u mohonte secilit nga ortakët dhënien e parave. Kjo ishte një grabitje institucionale e pronës së Roche dhe Skëndajt. Ishte në këtë kohë që Z. Roche botoi letrën e tij të hapur që e kam përmendur më lart.

Në këto rrethana, ambasadori francez në Tiranë shkoi në zyrën e Berishës dhe i bëri një dush të ftohtë duke i kërkuar që të ndërhynte në mënyrë që njerëzit e tij së paku ta kompensonin Roche për rrëmbimin e pronës së tij.

Berisha i kërkoi Frangajt që të paguante Roche. Në atë kohë Frangaj kishte gjetur një sponsor, biznismenin Samir Mane i cili dha paratë që i shkuan Roche. Kështu u arrit një marrëveshje e shprehur në një manovër të ndërlikuar.

Në maj 2006 Asambleja e Jashtëzakonshme e shoqërisë “Media 6”që kishte në pronësi Tv Klan  vendosi:

Aksionet e dy ortakëve, Julien Roche dhe Marsel Skëndo transferoheshin kështu:

10% i merrte Aleksandër Frangaj, 60% i merr Alba Gina, gruaja e Aleksandër Frangajt, 30% i merr Ervin Gjikola, ortaku i Samir Manes në një biznes.

Pas këtij ndryshimi, Aleksandër Frangaj zotëronte 40% të kapitalit të shoqërisë, Alba Gina zotëronte 40%, Ervin Gjikola zotëronte 20%. Kështu familja Frangaj zotëronte 80% të aksioneve. Në 17 korrik 2006, këto vendime të Asamblesë i miratoi Gjykata e Tiranës, me vendimin përkatës.

Po në maj 2006, në të njëjtën datë me vendimin e mësipërm të Asamblesë së Jashtëzakonshme u bë një kontratë noteriale mes treshes Frangaj-Roche-Skëndaj për përcaktimin në mënyrë të detajuar kushtet paraprake të shkëmbimit dhe kalimit të kuotave.

E thënë shkurt, Julien Roche dhe Marsel Skëndaj i dhanë Sandër Frangajt dhe gruas së tij aksionet e Tv Klan, në këmbim, ndër të tjera të 7% të aksioneve të tij në shoqërinë SAT+, që kishte në pronësi Televizionin me pagesë SAT+. Këto aksione do të ndaheshin mes tyre. Skëndaj dhe Roche do të kishin tashmë nga 15% të aksioneve të SAT+. Frangaj zbriste në 3.33%.

Gjithashtu, Roche dhe Skëndaj do të merrnin 22% të aksioneve të Frangajt në shoqërinë “Media 7”, që u ndanë mes tyre. Tashmë ata e zotëronin “Media 7” me nga 50% secili.

Gjithashtu, Roche dhe Skëndaj do të merrnin 17% të kapitalit të Frangajt në “Media 5” që u ndanë mes tyre. Tashmë ata e zotëronin “Media 5” me nga 50% secili.

Ironia ishte se edhe aksionet e Frangajt në këto dy shoqëri nuk kishin ardhur nga kontributet e tij financiare por thjesht i ishin dhënë nga dy ortakët, ose më saktë nga Z. Roche. Shoqëritë “Media 5” dhe “Media 7” kishin të bënin me biznese që Sandrit nuk i interesonin më si gazeta e falimentuar “Korrieri”.

Gjithashtu, sipas marrëveshjes, Alba Gina, gruaja e Sandrit, në këmbim të aksioneve që mori, duhet t’ u paguante Roche dhe Skëndajt 2.4 milionë euro për aksionet e tyre në shoqërinë “Media 6” që zotëronte Tv Klanin.

Alba Gina duhet të paguante 1.2 milion euro për 60% të aksioneve të Marsel Roche, që përbënin 33.33% të aksioneve të Media 6.

Nga kjo shumë Alba Gina duhet të paguante 450 mijë euro në cash, me 23 këste nga 20 mijë euro, i fundit 10 mijë euro. Pjesa tjetër prej 750 mijë euro do të llogaritej në hapësirë publicitare, për pesë vite, sipas kërkesave të shitësit.

E njëjta marrëveshjeje shit-blerjeje aksionesh u bë ndërmjet Marsel Skëndajt dhe Alba Ginës. Kështu Alba Gina, një femër shtëpiake pa të ardhura, mori përsipër detyrimin prej 2.4 milionë euro. Të gjitha këto para nuk u paguan nga gruaja e Sandrit, as nga ky, por nga taksapaguesit shqiptarë në sajë të kontratave publicitare që Sandri siguroi nga Qeveria “Berisha”.

Në të njëjtën ditë me marrëveshjen e përshkruar më lart, në maj 2006 u bë marrëveshja sipas së cilës, Ervin Gjikola, njeriu i Samir Manes, bleu 30% të aksioneve të Julien Roche në “Media 6” (që kishte në pronësi Tv Klanin) për 300 mijë euro, nga të cilat 125 mijë në dorë, cash dhe 175 mijë me kalim në llogarinë bankare të shitësit. E njëjta marrëveshje shitblerjeje u bë edhe midis Ervin Gjikolës dhe Marsel Skëndajt.

Kështu, Ervin Gjikola pagoi për llogari të Samir Manes, 600 mijë euro për të blerë 30% të aksioneve të Julien Roche dhe Marsel Skëndajt te “Media 6”, që në tërësi përbënin 20% të aksioneve të shoqërisë.

Gjithashtu, sipas një marrëveshjeje të së njëjtës datë, në maj 2006, “Media 6” (Tv Klan) do të jepte hapësirë publicitare me vlerë të përgjithshme 1.5 milionë euro, për një periudhë trevjeçare për shoqëritë që ishin së paku 51% në pronësi të Julien Roche dhe Marsel Skëndajt, si dhe për një periudhë katërvjeçare për prodhimet e shoqërive “Olim” dhe “Deka”, që prodhonin përkatësisht vaj dhe pluhura larës.

Pas kësaj marrëveshjeje Sandër Frangaj hoqi dorë nga padia ndaj ish-ortakëve. Kështu u mbajt premtimi që Sali Berisha i bëri ambasadorit francez se z. Roche do të merrte kompensim për pronën e tij. Berisha e mbajti premtimin duke paguar me paratë e taksapaguesve shqiptarë.

Transaksioni në tërësi përmbante elementët e krimit “Pastrim i produkteve të veprës penale”. Ky transaksion dhe të tjerë të Sandrit, bënë aq bujë sa në 2006 Prokuroria e Tiranës hapo një hetim për kunatën e Sandrit, një 18 vjeçare pas asnjë të ardhur. Prokurori i çështjes Olsian Çela e pushoi atë. Sot Olsian Çela është Prokuror i Përgjithshëm i Shqipërisë.

Por Sandri e shkeli marrëveshjen me ish-pronarët e Tv Klan, pasi iu grabiti atyre televizionin me pagesë Sat+, në të cilin e kishin bërë bashkëpronar duke i falur aksione. Pasi përfundoi punë me Tv Klanin, Sandri iu kthye Sat+. Mënyra se si veproi Sandri me Sat+ është një nga episodet më të çuditshme në historinë e biznisit të medias në Shqipëri. Sandri bëri dy marrëveshje të kundërligjshme.

Të parën marrëveshje e bëri me mbajtësin e 33.3% të aksioneve të Sat+, që ishin vëllezërit Duka (Presidenti i FSHF Armand Duka dhe Agron Duka). Sipas kësaj marrëveshje. Armand Duka do të bëhej ndërmjetës me Digitalb që Sandri të bëhej aksioner në një kanal sportiv me pagesë, me emrin Supersport që do të hynte në Digitalb.

Sandri, nga ana e tij, do të përdorte pozitën e tij si drejtor ekzekutiv i Sat+ që ky i fundit të mos përtërinte kontratat për transmetimet e ndeshjeve të futbollit që deri atëherë i kishte bërë Sat+ që nga Champions League te Seria A italiane. Si këmbim, Tv Klan do të futej edhe në Platformën Digitalb. Ajo që bëri Sandri në të vërtetë ishte se keqpërdori pozitën e tij si drejtor ekzekutiv për të shkatërruar Sat+.

Me këtë rast u krijua një situatë komike, kur në 19 korrik 2006 Këshilli Mbikqyrës i Sat + në një mbledhje të tij me pjesëmarrjen e zotëruesve të 63.3 % të aksioneve, e  shkarkoi Sandrin nga detyra e drejtorit ekzekutiv për shpërdorim të besimit të aksionerëve, por megjithatë Sandri vazhdoi të mbante detyrën, duke mos e njohur vendimin e shumicës së aksionerëve.

Sandri madje mori dhe policë privatë me pagesë që t’ i ndalonte aksionerët të hynin në ndërtesën ku ishin zyrat e Sat+. Kur këta u ankuan në Policinë e Shtetit ajo nuk lëvizi, gjë që mund të ndodhte vetëm për shkak të mbështetjes që kishte Sandri nga Kryeministri Berisha.

Tani le të kthehemi pak përsëri në vitin 2005, kur erdhi në pushtet PD me Sali Berishën si kryetar të qeverisë. Në 14 korrik 2005, njëmbëdhjetë ditë pas fitores së PD-së në zgjedhjet parlamentare, Aleksandër Frangaj bëri një kërkesë në gjykatën e Tiranës për regjistrimin e shoqërisë së re “Media 66”, me veprimtari radiotelevizive.

Gjykata, dy ditë më pas mori vendim për pranimin e kërkesës. Shoqëria “Media 66” ishte 100% në pronësi të ortakut të vetëm, Aleksandër Frangaj. Në shkurt 2006 u lidh një marrëveshje huaje mes “Media 6” (huadhënësi) dhe Media 66 (huamarrësi) në shumën 251,009,889 lekë të rinj.

“Media 6” kishte si përfaqësuese Alba Gina, bashkëshorten e Sandrit. “Media 66” kishte si përfaqësues Sandrin. Në maj 2006, huamarrësi i muajit shkurt, Sandri, u bë huadhënës ndaj bashkëshortes duke i  dhënë shoqërisë “Media 66” një hua në shumën 159, 750, 742 lekë të rinj. Në maj 2008 “Media 6” i ka dhënë aksionerit të saj Aleksandër Frangaj një hua në shumën 159, 750, 742 lekë.

Në 29 dhjetor 2011 u bë një marrëveshje për kalimin e huasë, sipas së cilës Sandër Frangaj i kalon të drejtat dhe detyrimet që ka nga tre marrëveshjet e mësipërme te “Media 6”. Qëllimi I qartë I marrëveshjes ishte që Sandri të paguante shumën të cilën detyrohej shoqërisë ku ishte vetë aksioner,  duke i kaluar huanë që ai i kishte dhënë “Media 66”, domethënë gruas së tij.

Në të gjithë botën organet ligjzbatuese do të shihnin këtu një shmangie fiskale, por nuk ndodhi kështu në Shqipëri. Të nesërmen e marrëveshjes së mësipërme, në 30 Dhjetor 2011 ndodhën ndryshime në pronësinë e “Media 66”.

Aleksandër Frangaj u bë mbajtës i 9.84% të aksioneve të Media 66. Ndërsa “Media 6”, (Tv Klan) ku bashkëpronar ishte Sandri me gruan u bë mbajtës i 90.16% të aksioneve. të “Media 66”. Pjesa prej 90.16% e aksioneve në “Media 66” përfaqësonte kontributin në para prej 470,760,631 lekë të rinj.

Arsyeja për të cilën u krijua shoqëria “Media 66” ishte se Frangaj do të merrte licenca për televizione të tjerë nga pushteti i Berishës, të cilët do t’ i nxirrte në shitje për të siguruar fitime të reja. Sandri mori dy licenca për televizione në kohën kur në pushtet ishte Berisha. Kur në pushtet erdhi Rama, u tregua edhe më dorëlëshuar me Sandrin, si do të tregoj më tutje.

Sandri, kur ishte Berisha në pushtet krijoi televizionin ABCneës, i cili në 2019 kishte akumuluar 1.3 milionë euro borxhe. E megjithatë cuditërisht Sandri ia shiti këtë media në 2019 një qytetareje greke, Efthymia Gkhouma për 70 milionë lekë të rinj. Kjo do të thotë se Zonja Gkhouma në të vërtetë e bleu televizionin për rreth 1.9 milion euro duke qenë se mori përsipër edhe detyrimet financiare të tij.

Pas ardhjes së Berishës në pushtet në 2005, Frangaj kërkoi dhe mori në përdorim, me të drejtë privatizimi, një sipërfaqe të madhe toke në pronësi publike në hapësirat e ish-Kinostudios ku do të zhvendoste selinë e Televizionit Klan. Në të vërtetë Berisha thjesht po përfundonte atë që kishte nisur Edi Rama kur kishte qenë ministër në Qeverinë “Nano”.

Edi Rama shkruan në librin e tij “Kurban”: “Është e vërtetë që kur Marsel Skëndo dhe Aleksandër Frangaj kanë ardhur në zyrën time në Ministrinë e Kulturës për të marrë prej meje firmën e qirasë për palestrën e rrënuar të komunizmit pas stadiumit ‘Qemal Stafa’, që u kthye në studion e parë modern televizive në Shqipëri, s’ kam pranuar të marr asnjë shpërblim në para në këmbim të firmës sime, ashtu si s’ kam pranuar prej askujt, nga dita e parë e deri në ditën e fundit, po u kam mbështetje mediatike për punën time e aktivitetin e ministrisë”. (Edi Rama, “Kurban”, Botimet “Dudaj”, Tiranë 2011, f. 233)

Interesante pse Edi Rama nuk e përmend bashkëpronarin tjetër të Tv Klan, Z. Roche! Gjithsesi, kështu Edi Rama pohoi se ai ka shpërdoruar postin e tij si pushtetar, duke dhuruar pronën publike që kishte në administrim, për të siguruar mbështetjen mediale që i duhej për të përparuar karriera e tij si politikan, sipas agjendës së tij, pra që të bëhej kryetar i Bashkisë së Tiranës e më pas kryetar i PS-së. Ndërtesa e palestrës sportive nuk ishte aspak e rrënuar siç thotë Edi Rama. Kjo ndërtesë ishte e dëmtuar, por në gjendje të mirë.

Dhe Edi Rama fare mirë mund të kishte bërë një projekt si Ministër që mbulonte edhe sported, që palestra të riparohej dhe të kthehej në funksionin e saj si qendër sportive, duke shërbyer në rradhë të parë për ekipet kombëtare të llojeve të ndryshme të sporteve. Përse duhej që Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve t’ i jepte me qera ndërtesën e palestrës kryesore sportive në vend një kompanie mediatike private, e cila donte një ndërtesë për të vendosur Tv Klan?

Kjo kompani mediatike ishte në pronësi të tre biznismenëve ndërtimi të cilët fare mirë mund ta vendosnin televizionin e tyre në pallatet dhe vilat që kishin ndërtuar vetë. Edi Rama, në të vërtetë, nuk ua dha ndërtesën e palestrës për të vendosur televizionin, por që ta përdornin si truall për të ndërtuar pallate.

Se Edi Rama bashkë me ndërtesën e palestrës iu dha edhe një sipërfaqe të gjerë toke rreth saj. Vërtet Edi Rama ua dha këto me qera afatgjatë, por ai ishte i vetëdijshëm se kjo ishte pikënisja e privatizimit, siç edhe ndodhi më pas.

Privatizimin e ndërtesës së palestrës dhe të sipërfaqes së tokës rreth saj e bëri më pas Aleksandër Frangaj, kur në pushtet erdhi Berisha, dhe Sandri u bë bashkëpunëtor i ngushtë i tij. Pikërisht në vendin ku ishte palestra, dhe në sipërfaqen e truallit përreth saj që i dha Edi Rama, Sandri ndërtoi pallate shumëkatëshe, njëri prej të cilëve është një nga pallatet më të lartë në Tiranë. Dhe Edi Rama e pohon në libër se lejen e ndërtimit ia dha ai Sandrit:

“Nuk pendohem sot asnjë dekik pse s’ e kam penguar Aleksandër Frangajn të kthehet nga pronar i një televizioni kombëtar në investitor për një ndërtim të konsiderueshëm në Tiranë, në kohën kur ekrani i kontrolluar prej tij derdhte vrer ndaj meje, Bashkisë së Tiranës e Partisë Socialiste, sepse asnjëherë s’ e kam parë pushtetin e marrë nga qytetarët si një fuqi për të penguar cilindo qytetar të këtij vendi, edhe më kundërshtuesin a të pasjellshmin deri në vulgaritet ndaj emrit tim, në ushtrimin e një të drejte të tij kushtetuese e ligjore, askush s’ mund të provojë të kundërtën”. (Edi Rama, “Kurban”, Botimet “Dudaj”, Tiranë 2011, f. 232- 233)

Por e kundërta mund të provohet fare lehtë. Kur Sandër Frangaj shkoi në zyrën e Edi Ramës në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, për të kërkuar ndërtesën e palestrës sportive pranë stadiumit “Qemal Stafa”, këtë e bëri me qëllim që atje të vendosej Televizioni “Klan”. Bashkë me ndërtesën Sandri kërkoi dhe mori edhe një sipërfaqe të gjerë toke përreth, ndoshta për të bërë oborrin e këtij televizionit.

Më pas, Sandri i kërkoi Edi Ramës një leje ndërtimi për të ngritur pallate shumëkatëshe në vendin ku kishte qenë palestra. Edi Rama e dinte se ndërtesa dhe sipërfaqja e tokës rreth saj qenë dhënë me qera, dhe se Sandri nuk mund të ndërtonte nëse nuk ishte pronar i truallit. Çfarë kishte ndodhur? Si ishte bërë pronar Sandri? Edi Rama e dinte mirë se si. Sandrin e kishte bërë pronar Kryeministri Berisha, në shërbim të të cilit tashmë ishte Sandri.

Dhe pasi Sandri ishte bërë pronar i një toke në zemër të Tiranës me nënshkrimin abuzues të Berishës, Edi Rama nuk mund ta pengonte që të ushtronte të drejtën e tij “kushtetuese e ligjore”, për të ndërtuar pallate atje! Kujt ia shet këtë përrallë Edi Rama? E thënë shkurt, atë që e nisi Rama, e përfundoi Berisha!

Tani le të kthehemi edhe një herë në vitin 2008, në kohën kur selia e Tv Klan u zhvendos në hapësirën e ish-Kinostudios. Sipas pasqyrës financiare për gjendjen financiare të shoqërisë “Media 6” (Tv Klan) në vitin 2008 (bilanci) që është detyrim të depozitohet në gjykatë, por që u depozitua vetëm në vitin 2016, gjendja e aseteve të “Media 6” (Tv Klan) ishte kjo:

Aktive afatgjatë materiale:

Toka me vlerë 68,183,338 lekë të rinj.

Ndërtesa me vlerë 142,712,021 lekë të rinj.

Kjo ishte toka në hapësirën e ish-Kinostudios që i ishte falur Frangajt nga Qeveria “Berisha”. Edhe ndërtesat ishin pjesërisht ndërtesat ekzistuese të ish-Kinostudios.

Problemi këtu ishte se Sandri nuk ishte bërë ende pronar i këtyre pasurive të patundshme, por këto asete i kishte marrë në përdorim nga shteti, kështu që ende nuk kishte të drejtë t’ i shënonte në pasqyrën financiare si prona të tij. Qëllimi për të cilin Sandri i shënoi ishte që të merrte kredi bankare, duke i vendosur këto asete si kolateral, pra si garanci. Por ato u hoqën në bilancin e vitit 2009, kur Tv Klan kaloi në ish-Kinostudio. Tepër e trashë kishte qenë manovra financiare këtë herë!

Gjatë kohës që Berisha ishte kryeministër, në vitet 2005-2013, Tv Klan, përveç pasurive të patundshme të përshkruara më lart mori nga qeveria shumën prej 18 milionë euro në cash, në sajë të kontratave të privilegjuara publicitare. Në sajë të kësaj “bujarie” të Berishës me paratë publike, Sandri mundi të bëjë rritje të mëdha vjetore të kapitalit të shoqërisë.

Në 2010 kapitali i “Media 6” (Tv Klan) u rrit nga 180 milionë lekë në 305,000,000 lekë. U tha se rritja me 125,000,000 lekë u pagua në cash. Gjithashtu u tha se për këtë rritje u përdorën fitimet neto të vitit 2009, fitimi i pashpërndare dhe rezervat e tjera. E vërteta është se rritja u bë në sajë të parave publike që Qeveria “Berisha” i dha Tv Klanit me kontrata publiciteti të privilegjuara.

Shoqëria “Media 6” vazhdoi të kishte vite të mbara financiare në sajë të marrëdhënieve të privilegjuara me qeverinë. Sipas pasqyrës financiare për vitin 2009, aktivi në total (pasuria e patundshme dhe ajo në para qarkulluese) ishte 730,233,403 lekë. Nga këto, aktive afatgjatë (toka, ndërtesa) ishte 451,908,295 lekë. Aktivet afatshkurtër kishin vlerën 278,325,108 lekë të rinj. Detyrimet gjithsej ishin 405,194,737.

Fitimi neto 2009 ishte 114,010,786 lekë të rinj. Fitime të pashpërndara ishin në vlerën 10,097,865.

Si pasojë e rritjes së të ardhurave për shkak të “bujarisë” së Qeverisë “Berisha” ndaj Tv Klanit, në  dhjetor 2011 Asambleja e ortakëve, domethënë Sandri, gruaja e tij, dhe njeriu i Samir Manes, vendosi rritjen e kapitalit të shoqërisë “Media 6”në 487,981, 306 lekë të rinj. Në dhjetor 2012 Asambleja vendosi një rritje tjetër kapitalit të Tv Klan në 809, 363,949 lekë, pra rritja u bë me 321,392,643 lekë. U tha se kjo rritje u bë me fitimet e vitit 2011.

Në qershor 2013 në periudhën e fundit të Qeverisë “Berisha” Asambleja e Ortakëve vendosi që kapitali i “Media 6” (Tv Klan) të rritet në 980,000,000 lekë të rinj, pra me rreth 179 milionë lekë të rinj. U tha se kjo u bë duke përdorur fitimin e vitit 2012. Fitimi neto i vitit 2012 ishte 178,080,667 lekë.

Kur Edi Rama erdhi në pushtet në 2013 qeveria bëri të ditur se do të bënte një kallzim në Prokurorinë e Tiranës për kontratat e privilegjuara publicitare që Tv Klan kishte marrë nga Qeveria “Berisha” duke përfituar kështu abuzivisht shumë milionë euro. Kallzimi u bë por çështja u pushua pasi Rama dhe Frangaj u morën vesh mes tyre.

Tv Klan do të vazhdonte të merrte para nga qeveria edhe në kohën kur Rama erdhi në pushtet. Vetëm në vitin 2019 Kryeministri Rama dha katër milionë euro për tre televizione të mëdha, ndër to edhe Tv Klan.

Në tetor 2013 Asambleja e Ortakëve të shoqërisë “Media 6” ndryshoi emrin e shoqërisë në Tv Klan.

Në ndërkohë Sandri kishte marrë 2.1 milionë euro kredi nga “Union Bank”, një bankë e krijuar pas ardhjes së Berishës në pushtet nga kryetari i Komitetit të Orientimit të Politikave pranë PD-së, Edmond Leka.

Në dhjetor 2013 u bë një marrëveshje Siguruese midis aksionerëve të shoqërisë “Tv Klan”, në cilësinë e barrëdhënësit dhe “Union Bank”, në cilësinë e barrëmarësit sigurues. Sipas marrëveshjes, barrëdhënësit (Sandri, gruaja dhe njeriu i Samir Manes) vendosën si barrë siguruese në dobi të bankës tërësinë e aksioneve të tyre në shoqërinë “Tv Klan” deri në shlyerjen e kredive ekzistuese dhe të ardhshme. Shuma e kredive për momentin ishte 2.1 milion euro.

Barra siguruese do të mbetej në fuqi deri në përfundim të afateve të kredive ekzistuese dhe të ardhshme.

Në pasqyrën financiare për vitin 2013, të nxjerrë në 2014, pra në kohën kur në pushtet ishte Edi Rama, për herë të parë pas një rasti në vitin 2008 u shënuan si aktive afatgjatë materiale toka dhe ndërtesa e Tv Klanit në ish-Kinostudio.

Sipas kësaj pasqyre, toka vlerësohej me 89,001,000 lekë të rinj, ndërsa ndërtesa me 205,418,998. Gjithashtu kishte makineri dhe pajisje në vlerën 76, 874,355 lekë të rinj. Totali i aktiveve afatgjata ishte 652,897,732 lekë të rinj. Vlera neto kontabël ishte 371,294,353 lekë të rinj. (Vlera e tokës dhe e ndërtesës mbetet e njëjtë)

Fitimi neto për vitin 2013 ishte 267,832,513 lekë të rinj.

Një gjë që të bën përshtypje është se auditimin financiar për vitet 2009, 2012, 2013 e ka bërë studio “Fintaks Consulting” sh.p.k., përfaqësuar nga Rudina Magjistari, ish-bashkëjetuesja e Edi Ramës dhe tashmë gazetare në Tv Klan.

Në janar 2013 u bë një kontratë e re mes Frangajt, si përfaqësues i shoqërisë “Tv Klan” dhe Magjistarit si përfaqësuese e shoqërisë “Fintaks Consulting”. A është gabim të thuhet se magjistari i vërtetë në këtë histori është Sandri?

Në shtator 2014 Asambleja e Ortakëve të shoqërisë “Tv Klan” mori vendim për rritjen e kapitalit në

1,094,000,000 lekë. Fitimi neto për vitin 2014 ishte 147,719,709 lekë të rinj.

Shoqëria “Tv Klan” vazhdoi të lulëzonte financiarisht edhe në vitet e qeverisjes së Ramës. Në shtator 2015 Asambleja e Ortakëve vendosi rritjen e kapitalit në 1.234.000,000 lekë të rinj.

Aktive afatgjata materiale në vitin 2014 (Toka dhe ndërtesa) u vlerësuan zyrtarisht me 292,095,893 lekë të rinj. Në vitin 2015 vlera e tyre arriti në 306,020,993 lekë të rinj. Fitimi neto në vitin 2015 arriti në 98,914,133 lekë të rinj.

Në 2016 shoqëria “Tv Klan” mori nga AMA (Autoriteti i Mediave Audiovizive), një institucion i kontrolluar nga shumica parlamentare e Edi Ramës një nga platformat digjitale të shpërndara prej saj, në sajë të së cilës mundi t’ i shumëfishojë kanalet e Tv Klan, me Klan Plus, Klan Sport, Klan Music etj.

Në gusht 2016 Asambleja e Ortakëve të shoqërisë “Tv Klan” vendosi për rritjen e kapitalit në 1,308,000,000 lekë të rinj.

Në 27 dhjetor 2016 Aleksandër Frangaj i bleu Ervin Gjikolës, njeriut të Samir Manes, 20% të aksioneve të shoqërisë “Tv Klan” për shumën 40.000.000 lekë. Ervin Gjikola i kishte blerë këto aksione për 600 mijë euro në 2006. Tashmë Sandër Frangaj zotëron 60% të aksioneve të shoqërisë “Tv Klan”, gruaja e tij 40%.

Në vitin 2016 vlera e aktiveve afatgjatë materialë të shoqërisë “Tv Klan” (Toka dhe ndërtesa) arriti në 324,158,245 lekë të rinj. Fitimi neto për vitin 2016 ishte 247,153,944 lekë të rinj.

Në korrik 2017 Asambleja e Ortakëve të shoqërisë “Tv Klan” vendosi për një rritje të re kapitali, i cili arriti në shifrën 1,502,796,247 lekë. Kapitali i paguar ishte në shifrën 809,363, 949 lekë.

Në vitin 2017 vlera e aktiveve afatgjatë materialë (toka dhe ndërtesa) arriti në 365,603,824 lekë të rinj. Fitimi neto për vitin 2017 arriti në 166,553,021 lekë të rinj.

Në vitin 2018 u bë bashkimi me përthithje i shoqërisë “Tv Klan” me shoqërinë “TNSH”, e cila I përkiste gruas së Sandrit. Në vitin 2018 pati një rritje të re të kapitalit i cili arriti në 1,571,121,617 lekë të rinj.

Në vitin 2018 u pasqyrua një rritje e madhe e aktiveve afatgjatë materiale (toka dhe ndërtesa). Vlera e tokës, e përbashkët për dy shoqëritë e përthithura “Tv Klan” dhe “TNSH” ishte 147 608 120 milionë lekë të rinj. Nga këto vlera e tokës së “Tv Klan” ishte 115 931 720 lekë të rinj, ndërsa vlera e tokës së shoqërisë “TNT” ishte 31 676 400 lekë të rinj.

Vlera e ndërtesave të shoqërisë “Tv Klan” ishte 561 532 194 lekë të rinj, ndërsa vlera e ndërtesave të shoqërisë “TNSH” ishte 199 771 901 lekë të rinj. Vlera e përgjithshme e pasurisë së patundshme të shoqërisë së bashkuar ishte 761 304 095 lekë të rinj. Kjo ishte vlera e pronës publike që i ishte falur Sandrit nga qeveritë “Berisha” dhe “Rama”. Sali Berisha ia Sandrit në përdorim këto prona publike, ndërsa Edi Rama e bëri pronar të tyre.

Fitimi neto i shoqërisë “Tv Klan” në vitin 2018 arriti në 171,334,270 lekë të rinj.

Në vitin 2019 pati një rritje të re të kapitalit të shoqërisë që arriti në shumën 1,449,520,014 lekë të rinj. Fitimi neto për vitin 2019 arriti në 143,841,365 lekë të rinj. Ashtu si në kohën kur në pushtet ishte Berisha, edhe tani që në pushtet është Rama, Tv Klan vazhdon të marrë para nga buxheti i shtetit për kontrata të privilegjuara publicitare.

Të dhënat financiare për vitin 2020 nuk janë përgatitur ende.

Me paratë e përfituara nga qeveritë shqiptare Sandri krijoi Tv Klan të rinj në Kosovë dhe në Maqedoni. Qëllimi i Sandrit ishte që t’ i shiste këto media. Kështu “Klan Kosova” u ble nga shoqëria “Devolli”, e cila është lejuar nga Qeveria “Rama” të furnizojë tregun shqiptar me miell jashtë standardeve ushqimore të blerë në Serbi. Edhe “Klan Maqedonia” për të cilin Sandri po bën një investim të madh në Saraj, afër Shkupit, pritet të blihet nga një biznismen shqiptar i Maqedonisë.

Nëse SPAK (Prokuroria e Posaçme) duhet të sekuestrojë një media dhe t’ i kërkojë pronarit të saj burimin e të ardhurave kjo media është Tv Klan. /Kastriot Myftaraj


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *