Vendosni fjalën kyçe....

“Të mjerët” e Shqipërisë


Alias-Autor: Erl Kodra

Në fëmijëri nuk kam pasur një koncept të qartë për varfërinë, por oreksin për bukën e ngrohtë, të sapo dalë nga çerepi e njihja mirë. Ndoshta ngaqë varfëria ishte shtrirë sa gjerë gjatë në gjithë hapësirën që unë lëvizja. Më vonë, nëpërmjet letërsisë unë fillova të shoh më përtej, shumë më përtej fshatit, qytetit, madje edhe Shqipërisë. Dikur lexova “Të mjerët” e Viktor Hygo, ndoshta romanin më të rëndësishëm që është shkruar ndonjëherë nga një autor. Prej asaj dite unë kisha një koncept më të qartë rreth së mirës dhe së keqes.

Për shembull, unë mësova se shumë njerëz ishin të varfër, njësoj si ne. Madje të gjithë ishim të varfër, përveç dy tre familjeve; Kryetarit të Këshillit, Sekretares së Partisë, dhe Brigadierit të Fshatit. Por ata ishin në krye të punëve, ata administronin të gjithë varfërinë tonë. Dyshimin tim se ata vjedhin unë ia shprehja vëllait tim më të vogël. Të dy arritëm në një përfundim; kjo nuk është e drejtë, dhe se ata janë njerëz të këqinj, shumë të këqinj. Por vetëm kaq, sepse ne e dinim që këto dyshime duhej t’i mbanim për veten tonë.

Nana ime mbillte kunguj rrotull shtëpisë. Shirat e bollshëm dhe toka e mirë i rriste kungujt deri në 10-15 kile. Nana gatuente një lloj byreku me kungull, që e quante “kungullur”. Kurrë nuk kam për të hangër byrek ma të mirë se sa kungulluri i nanës. Për këtë nuk kam asnjë dyshim.

Në Tetor deri nga gjysma e Nëntorit, për dy javë rresht, e gjithë shkolla shkonte në aksion për mbledhjen e gështenjave. Ne merrnim bukën me vete, ndërsa unë i lutesha nanës të na gatuante kungullur, sepse shokët e mi e pëlqenin shumë. Gjithçka ndahej mes nesh, dikush turshi, dikush bukë misri me djathë, dikush ngjyem specash. Vjeshta në vendlindjen time ishte një parajsë e vogël me fruta; mollë, kumbulla, dardha, ftonj, rrush, greza, dredhëza, manaferra, arra dhe lajthi. Me sa duket, në vjeshtë ne përmbushnim të gjitha nevojat për minerale dhe vitamina. Edhe lëkura jonë e fytyrës ndryshonte në vjeshtë. Sot që e kujtoj, vërtetë vjeshta ishte një parajsë, por pjesa tjetër e vitit ishte një ferr, ku shumicën e kohës ne ishim të uritur. Të gjithë banorët, duke përjashtuar tre familje.

U zgjata pak me fëmijërinë time, por vetëm për të treguar se unë e njoh mirë jo vetëm varfërinë, por edhe urinë. Sepse ka një ndryshim thelbësor mes varfërisë dhe urisë. Meqë ra fjala, ata që nuk janë ndjerë ndonjëherë të uritur, nuk kanë pse ta lexojnë këtë shkrim. Me shumë mundësi nuk do ta kuptojnë.

***

Ka një ndryshim thelbësor mes konceptit të varfërisë dhe të urisë. Ndryshimi nuk qëndron thjeshtë tek prodhimi i brendshëm bruto, ose tek aftësia e shtetit për të investuar në sektorë jetik të mirëqenies së popullatës si shëndetësia, uji i pijshëm ose arsimi. Këto lloj investimesh gjithsesi mbeten shumë të ulëta, çka ka sjellë mungesa thelbësore për shumicën e popullsisë. Por uria është diçka tjetër, që tejkalon sfidat e zakonshme të qeverisjes së një vendi. Për efekt shembulli, unë do marr një familje 4 anëtarësh. Një familje e varfër mund të jetë familja me të ardhura 60.000 lekë në muaj. Në këtë rast, e gjithë kjo sasi lekësh shkon vetëm për ushqim, dhe shpesh nuk mjafton. Ndërsa familje e uritur është çdo familje që nuk i ka këto të ardhura, domethënë, ata ose nuk kanë asnjë të ardhur, ose kanë të ardhura të papërfillshme.

Për të mbijetuar, ata i hyjnë në borxh barkut. Domethënë nuk ushqehen. Ata nuk mund të blejnë ushqimin e nevojshëm, të domosdoshëm për të mbajtur një organizëm të gjallë në parametra optimal. Ata nuk marrin proteinat e domosdoshme ushqimore, vitamina dhe minerale. Ata gjenden në çdo qendër urbane të Shqipërisë, kryesisht fshatrave. Me këtë kategori njerëzore shteti merret një herë në katër vjet. E gjithë ëndrra për jetën është një vakt i bollshëm ushqimi. Numri i tyre mund të jetë diku mes 400.000 deri në 600.000 njerëz, ndoshta më shumë.

Uria nuk është vetëm çështje e dinjitetit njerëzor, por edhe çështje e sigurisë kombëtare. Një njeri i uritur mund të negociojë gjithçka, përfshirë nderin dhe dinjitetin. Ata mund të zhyten në krime dhe trafiqe, me të vetmin qëllim; të shkëputen nga kthetrat e urisë. Para se t’i fajësojmë ata, duhet të mendohemi dy herë. Sepse edhe ata janë bijë të këtij vendi, njësoj si unë, njësoj si ty.

Nuk është rastësi që nëpër rrugët e Evropës, por edhe në burgjet e saj gjendet një ushtri me shqiptarë të rinj, trafikant të vegjël dhe kriminelë. Ata kanë ikur nga mizerja që u ofroi Atdheu i tyre, për t’u zhytur në një botë të errët dhune kriminale. Për të bërë karrierë me gjak, drogë dhe trafiqe, që përfundon ditën që emri i tij do të transmetohet në lajme.

Për të mbetur aty, përjetësisht.

***

Çfarë është uria? Kur mund të themi se një njeri vuan nga uria kronike?

Uria kronike fillon me kequshqyerje. Njerëzit nuk marrin kalori të mjaftueshme për të plotësuar nevojat e trupit për energji. Megjithëse uria mund të mënjanohet nëse ka ushqime të disponueshme për të shuar urinë me “ushqim” – si buka dhe barishte të ndryshme – sasia dhe cilësia e ushqimit ka rol vendimtar për shëndetin e popullatës.

Gjatë javëve dhe muajve, kequshqyerja mund të rezultojë në sëmundje specifike, si anemia kur njerëzit nuk marrin sasinë e duhur të hekurit. Mungesa kronike e ushqimeve të domosdoshme, ose ushqimi i pakët, pa kalori, proteina dhe vitamina bazë, përkufizohet si uri kronike. Kur trupi i njeriut konsumon burimet rezervë të energjisë, rezulton në humbje të konsiderueshme e peshës trupore, sëmundje kronike, dhe vdekje të parakohëshme.

Një njeri nën uri kronike fillon të mbijetojë duke konsumuar vetveten. Trupi fillon të konsumojë energji të depozituara si karbohidrate dhe yndyrna, por më vonë konsumon proteinat e indeve. Metabolizimi i organizmit ngadalësohet, trupi nuk mund të rregullojë temperaturën e tij, prishet funksioni i veshkave dhe dëmtohet sistemi imunitar.

Po cila formë urie mbizotëron në vendin tonë?

Për fat të mirë, Shqipëria është një vend me burime të pasura natyrore. Shqipëria nuk vuan nga thatësira, ose nga fenomene të tjera natyrore. Burimet ujore janë të bollshme në të gjithë vendin, po ashtu edhe klima tipike mesdhetare e favorizon prodhimin bujqësor. Megjithatë, vendi ynë vuan nga shkaqe të tjera; me karakter të theksuar politik, social dhe kulturor, që burojnë që nga koha e komunizmit, dhe vazhdojnë me tranzicionin e gjatë. Në Shqipëri vërtetë nuk ka uri si në shkretëtirën afrikane, por ka kequshqyerje masive, të ngjashëm me kohën e komunizmit. Të paktën 500.000 njerëz jetojnë me të ardhura të papërfillshme, nga disa cent deri në 2 dollar në ditë. Për këta njerëz nuk kujdeset shteti shqiptar, por ata mbijetojnë gjithsesi.

Por historia e mbijetesës tonë është tjetër histori. Humanizmi dhe solidariteti është një përmas e shoqërisë tonë, që kurrë nuk e kemi humbur. Në këtë kuptim, humanistët më të mëdhenjë janë shitësit e vegjël të lagjeve shqiptare, janë ato fletoret me borxhe për bukë, djathë, oriz, vaj dhe makarona. Ata janë punonjësit më të mirë social, zemërmirë, të ndjeshëm, të pafjalë. Madje ata i ruajnë klientët e tyre, u ruajnë erzin, sepse në Shqipëri varfëria përjetohet edhe si turp. Ata nuk dalin në televizor, nuk japin intervista, nuk ua zënë në grykë bukën klientëve të tyre.

Nëse do të ndiqni të premteve Elvis Naçin, do të kuptoni përmasën reale të varfërisë në Shqipëri. Shumë mirë, por a mund ta zgjidhë këtë problem një hoxhë, pavarësisht vullnetit të mirë? Çfarë garancie kanë ata njerëz, se do të mund të marrin bukën e përditshme nga Hoxhë Elvisi? Ku shkon dinjiteti i tyre, kur u filmohet deri në detaje loti në dritë të syrit, sepse ai është çmimi që duhet të paguajnë për një vakt bukë më shumë? A mund të lihet buka e përditshme në dorë të një programi televiziv dhe hoxhë Elvis Naçit?

***

Shqipëria vuan nga njëlloj vaniteti i tejskajshëm. Shtetarët tanë sillen sikur qeverisin një popull 30 milionësh, ndërsa mediat transmetojnë gjithë ditën programe të denja për kalifornianët, dhe jo një popull gjysmë të uritur. Buxheti i Shtetit është një kthyer në një traget për vetëm disa duar dhe rroga të administratës. Bankat kanë zhytur më shumë se gjysmën e popullsisë në kurthe borxhesh, ndërsa përmbaruesit privat i përndjekin qytetarët si ushtarët e mafias. Diku mes 300.000 deri në 500.000 qytetarë braktisën vendin, ndërsa tërmeti dhe pandemia e Covid-19 duket si akti i fundit i dramës tonë.

Siguria kombëtare nuk është një koncept abstrakt, që nënkupton vetëm rendin dhe sigurinë publike. Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” mund të shkëlqejë nga siguria, por nëse disa qindra mijëra shqiptarë flenë të uritur, vetëm për siguri nuk bëhet fjalë. Para së gjithash, vet siguria është e lidhur me të ardhurat e qytetarëve dhe zhvillimin social-ekonomik. Vet demokracia varet nga niveli ekonomik i një shoqërie. Nëse njerëzit janë të varur nga buka e gojës, gjithçka ka marrë fund. Të tjerat janë llogje.

***

“Nëse mjerimi dhe varfëria nuk shkaktohen nga ligjet e natyrës, por nga institucionet tona, i madh është mëkati ynë.”

Charles Darwin

VINI REAutori shkruan në rrjete sociale, me pseudonim. Hashtag.al publikon sporadikisht shkrime anonimati, kur përmbajtja dhe argumentimi prevalon mbi identitetin dhe kur shkrimi nuk përmban qëndrime që cënojnë integritetin e një personi ose të një institucioni.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *