Vendosni fjalën kyçe....

Vritet një person në Prishtinë, dyshohet se është shtetas i huaj


Një person është vrarë me armë zjarri në rrugën “Bashkim Fehmiu” në Prishtinë, ka njoftuar Policia e Kosovës.

Siç thuhet në një komunikatë të policisë, pas informacionit që kanë marrë organet e rendit, rreth orës 12:00, të ditës së dielë, kanë dalë në vendin e ngjarjes ku në një veturë kanë gjetur trupin e pajetë të një personi, ndërkaq që personi për të cilin dyshohet se ka kryer krimin, është larguar nga vendi i ngjarjes.

“Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, është konstatuar që bëhet fjalë për vrasje dhe është ngritur dyshimi se i dyshuari dhe viktima kanë qenë brenda të njëjtës veturë dhe i dyshuari nga mbrapa ka shtënë me armë zjarri në viktimën, mashkull i cili për pasojë ka humbur jetën”, ka konfirmuar Policia e Kosovës për Radion Evropa e Lirë.

Siç njofton Policia e Kosovës, në vendin e ngjarjes janë ftuar edhe specialistë për hetimin e rasteve të vrasjeve si dhe njësitë e specializuara për ekzaminimin e vendit të ngjarjes.

“Deri më tani policia ka arritur të identifikojë të dyshuarin e mundshëm që dyshohet të jetë shtetasi huaj i cili ka ikur nga vendi i ngjarjes”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës, e cila ka intensifikuar veprimet e saj për të zbuluar vendndodhjen e të dyshuarit, me qëllim kapjen e tij.

Në afërsi prej 100 deri 150 metra nga vendi i ngjarjes, në një kosh plehrash, policia ka gjetur dhe ka sekuestruar një revole, për të cilën dyshohet se është arma që i dyshuari e ka përdorur.

Policia e Kosovës ka njoftuar se tashmë ka kryer një operacion bastisjeje në banesën e të dyshuarit, por i njëjti nuk është gjetur aty.

Policia e Kosovës, në bashkëpunim me prokurorin e shtetit, ka nisur një hetim me qëllim të sqarimit dhe ndriçimit të rrethanave dhe motiveve që kanë sjellë deri vrasja.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *