Vendosni fjalën kyçe....

Diçka është heshtur Richard Grenelli…


Nga Enver Robelli

[Një sprovë]

Diçka është heshtur Richard Grenelli. S’po shpall më as fermanë, as qorrfermanë në Twitter se kush është antiamerikan, kush proamerikan, kush trumpist, kush antitrumpist, kush sorosist, kush putinist, kush merkelist në Europë (dhe në Kosovë).

Po bëhet gati një vit prej se nën ndërmjetësimin e tij gjenial u nënshkrua marrëveshja për nisjen e fluturimeve mes aeroportit “Adem Jashari” dhe “Nikola Tesla”. Avionët askund, turistët askund, Grenelli askund, pajtimi aeronautik – askund.

Vija hekurudhore Gazimestan – Bežanijska kosa (lagje e Beogradit) s’ka filluar ende të ndërtohet/modernizohet. S’ka tren nate, s’ka Night Train, s’ka Nachtzug, s’ka noćni voz, as noćni vlak. As autostrada mes Nishit dhe Merdarit s’ka filluar ende (nejse, financimi është paralajmëruar nga BE-ja, por Grenell projektin e prezantonte si ide të tij gjeniale).

Ka mbetur keq edhe Berlini pa Richard Grenellin. Aty para një viti i pati pritur me fanfarë e fenerë tre musketierë nga Prishtina, dy pa vota, një me disa vota. Do ta bëjmë këtë, do ta bëjmë atë, thoshte Grenelli, veçse për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia s’fliste kurrë. As për viktimat kosovare të shkaktuara nga shteti pushtues (Serbia). Thoshte: s’merrem me politikë simbolike. Pra, njohja e pavarësisë nga Serbia – punë simbolike! Koncentrohuni në ekonomi. Blini sa më shumë prodhime nga njëri-tjetri (në fakt: blini sa më shumë pashteta, vaj, narezakë, gullash, tulla, çimento, miell, krunde e qumësht nga Serbia) dhe heshtni. Në Interpol s’ka çka kërkon Kosova. Dhe Kosova hoqi dorë nga Interpoli (për një kohë). Dhe Grenelli brohoriti: ky është sukses në marrëveshjen mes Kosovës e Serbisë.

Pastaj fjalën e mori shefi. Tha: ata po vriteshin, unë i ndala, qe 400 e kusur vjet po vriteshin, por pastaj i thirra në Shtëpinë e Bardhë dhe aty u përqafuan. Ata! Thua se presidenti me talent aktori po xhironte një film romantik. Diçka është heshtur Richard Grenelli. S’ka më duartrokitës naivë. S’ka më duartrokitës cinikë. Ata që dje e quanin profet, sot e quajnë profan. S’ka më thirrje telefonike: “A e propozuat më shefin për çmimin Nobel?”, “Hajde, ngutuni ju pak atje në Stockholm”, “Hajde”.

S’ka më muhabete të kota me njerëz të njohur e panjohur në Instagram. S’ka më këngë kafehanesh nëpër Ballkan. Por ndoshta më 31 dhjetor 2020 ndodh diçka. Nga pista e Surçinit në drejtim të Sllatinës niset avioni i parë që do të lidhë dy kryeqytetet. E udhës do të ishte që me atë avion Grenelli të sjellë në Prishtinë arkivolet me kufoma të shqiptarëve të gjetur në jug të Serbisë ditëve të fundit.

A ka shkruar, more, ndonjë Tweet Grenelli për varrezën masive të zbuluar së fundi në Serbi? E pesta me radhë. Me viktima shqiptare. Grenelli thoshte: është problem i madh që s’mund të marrësh një veturë me qira (“Rent a Car”) për të shkuar nga Prishtina në Beograd dhe anasjelltas. As këtë punë s’e ndreqi. Grenelli. Ai që shpallte fermanë. Dhe qorrfermanë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *