Një aleancë socialiste, e udhëhequr nga presidenti i Venezuelës Nicolas Maduro, ka shënuar një fitore të madhe në zgjedhjet parlamentare, duke marrë mbi dy të tretat e votave. Zgjedhjet janë bojkotuar nga opozita që e akuzon Maduron për manipulimin e tyre.
Partia e Bashkuar Socialiste e Venezuelës dhe aleatët e saj morën më shumë se 67 përqind të votave në zgjedhje, tha shefja e KQZ-së, Indira Alfonzo herët të hënën. Rezultati u përshëndet si një fitore e madhe nga Maduro.
Sidoqoftë, pjesëmarrja në zgjedhje u duk se ishte mjaft modeste pasi vetëm 31 përqind e rreth 20 milionë votuesve me të drejtë vote morën pjesë në zgjedhje, sipas shifrave zyrtare.
Asambleja Kombëtare është udhëhequr deri tani nga Juan Guaido, i mbështetur nga SHBA-ja, i cili e shpalli veten ‘president të përkohshëm’ në 2019.
Pavarësisht mbështetjes së gjerë nga Uashingtoni dhe përpjekjeve të përsëritura për të rrëzuar nga pushteti Maduron, Guaido nuk ka arritur të rrëmbejë pushtetin nga presidenti socialist.