Vendosni fjalën kyçe....

Pacientët me Covid lihen të vdesin në Pakistan pasi spitali nuk kishte bombola oksigjeni


Të paktën gjashtë persona kanë vdekur në një spital në Pakistan pasi furnizimet me oksigjen ishin tepër të ulta. Pesë prej tyre siç shkruan BBC ishin me koronavirus.

Familjarët e pacientëve kanë përshkruar se si ata janë lutur për ndihmë, ndërsa paniku përfshiu spitalin e drejtuar nga qeveria në qytetin verior të Peshawar.

BBC shkruan se një vonesë në mbërritjen e furnizimeve, la më shumë se 200 pacientë për orë të tëra në oksigjen të reduktuar.

Zyrtarët e spitalit kanë fajësuar kompaninë e furnizimit për mungesën e bombolave të oksigjenit.

Problemet në Spitalin Mësimor të Khyber-it filluan pasi furnizimi i përditshëm i bombolave ​​të oksigjenit të freskët nuk mbërriti të shtunën në mbrëmje. 300 cilindrat rezervë atëherë nuk ishin në gjendje të furnizonin presionin e kërkuar për ventilatorët.

Mureed Ali, i cili kishte nënën e tij të shtruar në këtë spital me Covid-19 tha për BBC-në: “në të gjithë spitalin, ne po vraponim për të shpëtuar pacientët tanë, duke iu lutur stafit mjekësor”.

Ai shpjegoi se disa pacientë u transferuan përfundimisht në dhomën e urgjencës, ku ende kishte një furnizim të mirë të oksigjenit.

Por pasi ato furnizime u pakësuan gjithashtu, disa pacientë vdiqën, ndërsa shumë të tjerë u përkeqësuan në gjendje kritike.

Stafi i spitalit përfundimisht u kërkoi të afërmve të pacientëve që të përpiqeshin t’i blinin vetë bombolat e oksigjenit. Por sipas Ali, por vetëm disa arritën ta bënin këtë.

Një zëdhënës i spitalit i tha BBC-së se pesë nga të vdekurit ishin pacientë në repartin e koronavirusit dhe një në njësinë e kujdesit intensiv.

Oksigjeni arriti më në fund në orën 04:00 të dielën. Zyrtarët e spitalit e përshkruan ngjarjen si “neglizhencë kriminale”, duke thënë se kishin pezulluar disa njerëz nga puna për këtë.

Ministri i shëndetësisë i provincës Taimur Saleem Jhagra tha në një konferencë shtypi: “Incidenti i trishtuar ndodhi për shkak të mungesës së furnizimit me oksigjen në spital. Ne do të bëjmë një hetim dhe do të arrijmë në fund të incidentit.”

Pakistani aktualisht po lufton me një valë të re të rasteve të koronavirusit, me një total prej më shumë se 400,000 infeksionesh dhe mbi 8,000 vdekje të raportuara që nga fillimi i pandemisë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *