Klodjan Rasha i cili u ekzekutua mbrëmjen e kaluar në zonën e Laprakës, nga një efektiv policie, ishte djali më i vogël i familjes Rasha me origjinë nga Puka.
Ai kishte edhe dy vëllezër më të mëdhenj.
Pavarësisht se policia thotë se 25-vjeçari në vitin 2016 ishte akuzuar për heqje të paligjshme të lirisë, por nuk ka pasur problematika të tjera sipas fqinjëve, të cilët e njohin si djalë të mbarë.
Një fqinje tha para kamerave, se Rasha nuk ka sjellë asnjëherë shqetësime.
“Jo asgjë unë tani po e dëgjoj. Ka qenë shumë i mirë si njeri. Nuk ne di me ça është marrë ne e shikonim këtu jashtë dhe ka qenë djalë shumë i mirë. Ishte pa punë. Unë po bëj gati 25 vjet këtu. Djalë shumë i mirë për mua. E shikoja gjithmonë këtu jashtë që rrinte dhe nuk ngacmonte njeri. Nuk di gjë për arrestimet e yij më parë. Nga ai djalë s’kemi pasur shqetësime asnjëherë. Këtu rrija unë përballë e ke”, tha ajo.
I riu është qëlluar në lagjen e tij, në fillim të rrugicës ku ai banonte. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm, kur sipas policisë i riu është ndjekur që nga rruga “Don Bosko” ku është konstatuar, për shkak se kishte thyer orën policore që fillon në orën 22:00 sipas një urdhri të Komitetit Teknik.
Mësohet se i riu është qëlluar dy herë nga një polic me një plumb në shpatull dhe një në kokë.
Në njoftimin e parë të Policisë thuhej se i riu mbante në dorë një send të fortë në dukje si armë, gjë që e kishte trembur punonjësin e policisë që kishte qëlluar mbi të. Jo një herë, por dy.
Më pas në një njoftim të dytë, policia tha se nga grupi i hetimit ishte gjetur në vendngjarje një pistoletë, që dyshohej se ishte e Rashës.