Numri dy i PD-së, Bardhi, tha se ka dyshime të forta se vrasja e 25-vjeçarit në Tiranë, orët e para të mëngjesit është vrasje me dashje pa asnjë shkak.
Në një reagim në rrjetet sociale, sekretari i Përgjithshëm i selisë blu theksoi se para 30 viteve, rininë e rrihte, persekutonte e vrisje Gramoz Ruçi ndërsa sot e gjobit kryeministri Rama e ministri i Brendshëm, Lleshaj.
“Para 30 viteve rininë e rrihte, persekutonte dhe vriste Gramoz Ruçi, sot e dhunon, gjobit dhe vret Edi Rama dhe Sandër Lleshaj. Kanë ndryshuar vetëm emër, por jo model! Vrasja e një të riu 25 vjeçar, vetëm se nuk i ndaloi Policisë për vendosjen e maskës dhe orarin e ndalimit të lëvizjes, është shokuese. Të dhënat e para për vrasjen e një 25 vjeçari në mes të Tiranës nga Policia e Shtetit hedhin dyshime të forta për vrasje me dashje pa asnjë shkak. Njoftimet zyrtare të Policisë së Shtetit qartazi krijojnë bindjen e tentativës për manipulimin dhe fshehjen e së vërtetës, me justifikime qesharake të denja për një bandë.” – shkruan Bardhi.
Më tej ai i bën thirrje prokurorisë që të marrë masat për ndalimin e manipulimit të ngjarjes dhe zbardhjen e së vërtetës.
Bardhi shton se policia që vret një të ri është modeli më i keq i policisë dhe se kjo duhet të marrë fund menjëherë.
“Prokuroria duhet të ndërmarrë menjëherë masat për ndalimin e manipulimit të ngjarjes dhe zbardhjen e të vërtetës. Secili prej nesh pret drejtësi për këtë akt kriminal të pashembull dhe i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes. Policia që vret një të ri në Ditën e Rinisë është modeli më i keq i Policisë së Shtetit. Sot vrasësi i të riut nuk është efektivi i policisë, por Edi Rama dhe Sandër Lleshaj, me politikën e tyre qeveritare të armiqësimit të Policisë me qytetarët dhe miqësimit të Policisë me bandat. Është irrituese që në 8 vite Edi Rama ndërtoi modelin e Policisë që nuk lufton krimin, por burgos, gjobit dhe vret qytetarët e pambrojtur. Është e paprecedentë që në 8 vite në vend të komunikatave të përditshme sesa grupe kriminale ka zbuluar dhe arrestuar, Policia e Shtetit është fokusuar vetëm tek informacioni i përditshëm sesa gjoba i ka vendosur qytetarëve. Kjo nuk është arsye se përse ekziston Policia e Shtetit. Kjo është një politikë e gabuar, që e armiqëson Policinë me qytetarët dhe e miqëson me bandat. Kjo duhet të marrë fund menjëherë!” – mbyll reagimin Bardhi.